Kuvendi nuk arrin t’i miratojë amendamentet kushtetuese për Vettingun

Prishtinë | 15 Shk 2024 | 14:13 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kuvendi i Kosovës, nuk ka arritur t’i votojë amendamentet kushtetuese për për procesin e vettingut në sistemin e drejtësisë. Në sallën plenare kanë qenë të pranishëm 87 deputetë, tetë prej tyre nga komunitetet joshumicë, për çka kërkohet të jenë prezent 14 deputetë për ndryshime kushtetuese, raporton Ekonomia Online.

Gjatë prezantimit të amendamenteve kushtetuese për vettingun, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaroi se ka tendencë të vazhdueshme për të penguar reformën në drejtësi. Partitë opozitare kanë qenë pro këtyre ndryshimeve, veçse kanë theksuar se një gjë e tillë është e pamundur të bëhet pa Listën Serbe.

Tutje, tha se ky është çelësi që Kosova të jetë shtet i së drejtës dhe kushti që në sistemin e drejtësisë të ketë prokurorë me integritet të lartë.

“Një ndër reformat më të rëndësishme që ka për qëllim fuqizimin e institucioneve të drejtësisë, kthimin e besimit të qytetarëve në institucione të drejtësisë dhe më e rëndësishmja, pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Siç jeni në dijeni, Vettingu në sistemin e drejtësisë ka qenë një nga zotimet tona kryesore para qytetarëve të Republikës së Kosovës. Dhe për të ardhur deri këtu, nuk ka qenë aspak e lehtë. Sepse gjatë gjithë kësaj kohe jemi ballafaquar me sfida nga më të ndryshmet, sfida këto sidomos që ndërlidhen me tendencën e vazhdueshme për të penguar një reformë të rëndësishme. Por, siç e dini po ashtu, kemi qenë këmbëngulës në synimet tona për ta bërë Kosovën shtet të së drejtës dhe për të përmbushur secilin zotim që kemi dhënë para qytetarëve të Republikës së Kosovës”, deklaroi Haxhiu.

Ajo shtoi se është e rëndësishme që në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese validohet kontrolli i integritetit si koncept që duhet të ekzistojë në Kosovë.

“Na jepet drita e gjelbër që vlerësimi i integritetit të bëhet përkohësisht nga një mekanizëm i jashtëm, pra, jashtë Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial për nivelet e larta të sistemit të drejtësisë. Po ashtu, është po aq e rëndësishme që pasuria e pajustifikueshme është pranuar si rrethanë për largimin e një prokurori a gjyqtari nga sistemi, pra në rrethanat kur ai apo ajo nuk mund ta justifikojnë pasurinë e pajustifikueshme të tij apo saj. Vettingu, amendamentet kushtetuese që sot po i trajtojmë nuk janë e vetmja reformë në të cilën po punon Ministria e Drejtësisë. Reforma tjetër është ajo në Këshillin Prokurorial, që është reformë po aq e rëndësishme”, shtoi ajo në seancë plenare.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Kujtim Shala tha se në dhjetor është formuar komisioni ad-hoc për zhvillimin e procesit të vlerësimit kalimtar.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës me aktgjykimin KO 55/23 vlerësoi se amendamentet e propozuara nuk pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në kapitullin 2 ‘Të drejtat dhe liritë themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës’. Po ashtu Gjykata në këtë aktvendim ka kërkuar që në amendamentet 27 dhe 28 të fshihen fjalët ‘ose që ka integritet të cenueshëm’. Dhe siç shihet nga raporti i Komisionit të Legjislacionit fjalët ‘ose që nuk ka integritet të cenueshëm’, sipas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese është fshirë”, deklaroi ai.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi kërkoi nga deputetët që të votojnë këto ndryshime kushtetuese.

“Komisioni për Legjislacion ka shqyrtuar amendamentet kushtetuese të propozuara nga deputeti Kujtim Shala, i mbështetur nga 39 deputetë të tjerë të vlerësuara me aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës KO55/23. Komisioni për të vepruar në pajtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në amendamentet e propozuara 27 dhe 28, propozon që të fshihen fjalët ‘ose që ka integritet të cenueshëm’, për të qenë në harmoni me aktgjykim KO 55/23. Po ashtu, me qëllim të shmangies së paqartësive, komisioni rikujton që ndryshon renditja e propozim amendamenteve”, shtoi ai.

E shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri u shpreh se në mungesë të Listës Serbe nuk mund të procedohet me votimin e këtyre amendamenteve kushtetuese.

“Sa i përket pasurisë së pajustifikueshme, Gjykata Kushtetuese e sqaron shumë mirë që bëhet fjalë atëherë kur prokuror apo gjyqtar në fjalë kanë pasuri të pajustifikueshme dhe ajo vërtetohet me vendim të gjyqësorit. Pra këto janë të rëndësishme dhe ky proces aq sa është i rëndësishëm, ajo është po ashtu e rëndësishme që mos të pakëhësohen të drejtat e njeriut në kuadër të këtij procesi….Fatkeqësisht në mungesë të Listës Serbe në këtë rast, ndryshimet kushtetuese me gjasë nuk do të mund t’i procedojmë më tutje. Mirëpo, asnjëherë si kuvend nuk duhet të heqim dorë nga ky proces dhe shpresoj që në një të ardhme sa më të afërt, shpresojmë që në kuadër të kësaj legjislature të arrijmë t’i procedojmë përpara dhe ky proces të fillojë dhe ta fuqizojë sistemin gjyqësor dhe prokurorial në vendin tonë”, u shpreh Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se propozimi i tyre është që të ketë një sistem efikas të drejtësisë, ku shtoi se edukimi politik i mazhorancës aktuale është i limituar.

“Duhet të ndërtohet një sistem efikas, duke marrë parasysh rrethanat aktuale në të cilat gjendet vendi. Dhe kjo për ne ka qenë prioritet i jashtëzakonshëm. Ka qenë e pamundur që të kemi një dialog politik dhe diskutim politik me pushtetin aktual për të kuptuar se cilat janë rrethanat reale aktuale, mbi të cilat ne duhet të bëjmë ndryshime. Nuk ka pasur vullnet e as njohuri për këto koncepte dhe nuk ka pasur as qasje për ndryshime kualitative në sistemin e drejtësisë. Krejt ideja e tyre ka qenë-ide përmbysëse, ide revolucionare të cilat do të duhej të implementoheshin në mënyrë arbitrare për sa është e mundur me ligjet të cilat mund të kalohen me shumicën e thjesht nga shumica qeverisëse. Dhe pastaj kur e panë që ato po shkojnë në Gjykatë Kushtetuese dhe po rrëzohen, ndërtuan një sistem akuzimi dhe anatimimi për opozitën”, deklaroi Gashi në seancë plenare.

Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj tha se përkrahin këto amendamente kushtetuese për vettingun.

“Ne si Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës i kemi përkrahur këto amendamente edhe pse Gjykata Kushtetuese e ka dhënë vlerësimin dhe për hir të një konsensusi ne do t’i përkrahim por që ju e dini që duhen edhe 2/3 e minoriteteve”, tha Lekaj.

Çdo ndryshim kushtetues kërkon miratimin e 2/3 të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe 2/3 e vendeve të rezervuara për komunitete.

Të ngjashme