Diskutimi parlamentar për Projekt-Kodin Civil përfundoi. Kryepralamentari Glauk Konjufca propozoi që ai të hidhet në votim, raporton Ekonomia Online.
77 deputetë ishin të pranishëm në momentin e votimit, por 16 prej tyre nuk kanë votuar fare.
“Kemi një paqartësi sa i përket votimit”, tha Konjufca.
Konjufca tha se ka deputetë të cilët nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës.
“16 nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën e votimit. Por saktë 61 kemi votuar dhe prej këtyre 61 deputetëve, për janë 28, kundër janë 29 dhe katër kanë abstenuar”.
“Konstatoj që ky kod civil, në këtë formë në këtë formë siç ka ardhur, nuk miratohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, tha Konjufca.
Kuvendi i Kosovës ka debatuar për disa orë rreth Projekt-Kodit Civil, ku mes tjerash parashihet të rregullohen dhe çështja e martesave mes gjinive të njëjta.
Ndryshe nga ajo që ndodh zakonisht, kur deputetët e Vetëvendosjes kanë qëndrim të unisuar për një çështje, kjo nuk ka ndodhur sot. Disa deputetë të mazhorancës dolën kundër Kodit Civili të propozuar, më saktë kundër martesave të gjinisë së njëjtë.