Kuvendi sqaron tenderin për pastrim dhe mirëmbajtje

Prishtinë | 27 Shk 2017 | 14:16 | Nga

Reagim lidhur me artikullin e gazetës “Koha ditore”: “Kuvendi paguan 15 mijë euro për pastrim në muaj, Qeveria 5 mijë për sipërfaqe të njëjtë”, të botuar në numrin e sotëm (27 shkurt 2017)

Zyra e Sekretarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës shpreh mospajtimin e plotë lidhur me artikullin e sotëm të gazetës “Koha ditore”, me titull: “Kuvendi paguan 15 mijë euro për pastrim në muaj, Qeveria 5 mijë për sipërfaqe të njëjtë” (ballinë dhe faqe 2), dhe të cituar nga media të tjera.

  1. Çmojmë lart dhe respektojmë misionin e mediave për ta bërë publik çdo aktivitet dhe procedurë të institucioneve shtetërore, me interes për qytetarët dhe në të cilat shpenzohen mjete të taksapaguesve, por gjithashtu, kërkojmë që prezantimi i të dhënave dhe fakteve të bëhet në mënyrë të drejtë, të saktë dhe pa tendencë.
  1. Konfirmojmë me përgjegjësi se artikulli në fjalë përmban të dhëna të pabaza dhe të pasakta lidhur me temën të cilën e trajton, me pretendime të paqëndrueshme.
  1. E shohim të udhës të qartësojmë se lënda për të cilën shkruan gazeta, në rastin e Kuvendit, nuk përfshin vetëm pastrimin. Lënda parasheh mirëmbajtjen higjienike dhe teknike të të gjitha hapësirave të Kuvendit (220 zyra, sallën plenare me të gjitha hapësirat përcjellëse, sallën për dëgjime publike, 9 salla të komisioneve parlamentare, kabinetin e Presidentit të Kosovës, kabinetin e kryetarit të Kuvendit, kabinetet e grupeve parlamentare, të kryetarëve të komisioneve, 64 tualete), në një sipërfaqe prej 20 353 m², ku punojnë mbi 40 punëtorë higjienikë dhe mjeshtër teknikë e inxhinerikë, të angazhuar nga ana e operatorit teknik, sipas kërkesave të autoritetit kontraktues (Kuvendit). Po ashtu duhet të ceket se në kuadër të kontraktës është e angazhuar kujdestaria 24-orëshe e shërbimeve, si dhe angazhim shtesë gjatë mbajtjes së seancave plenare dhe aktiviteteve të tjera që zhvillohen në Kuvend.

Në kuadër të kësaj kontrate, kryhen edhe shërbime të tjera, si në vijim: mirëmbajtja teknike e ndërtesës së Kuvendit (uji, rryma, nxemja, aklimatizimi etj.), servisimi, mirëmbajtja dhe furnizimi me material shpenzues i gjeneratorëve (5 gjeneratorë), servisimi dhe mirëmbajtja e pajisjeve ftohëse (çilerëve – 5 copë), servizimi dhe mirëmbajtja e pajisjeve të tjera ngrohëse dhe ftohëse (fankolerë), mirëmbajtja e kopshtit, parkingjeve, si dhe dy herë brenda vitit, kryhet procesi i deratizimit, dezinfektimit dhe dezinsektimit të ndërtesës në tërësi. Duhet të potencohet se Kuvendi i Kosovës ka ngrohjen qendrore vetanake, për të cilën përkujdeset kompania për servisim dhe mirëmbajtje të tërë sistemit të ngrohjes (të gjitha shërbimet janë të specifikuara në dosje të tenderit).

Çmimi i përgjithshëm i shërbimeve për muaj me procedurë të hapur, ka qenë 14 496. 43 euro.

  1. Procedurat për lëndën në fjalë janë zhvilluar konform Ligjit të Prokurimit Publik në Republikën e Kosovës, e cili, në raste të caktuara, kur nuk mund të zhvillohet ose dështon procedura, siç ka ndodhur në rastin konkret, lejon nënshkrimin e aneks-kontratës në vlerë deri në 10 për qind të vlerës totale të kontratës.
  1. Pas skadimit të kësaj aneks-kontrate, Kuvendi nuk ka lidhur aneks-kontrata të tjera, siç thuhet në artikull, por ka lidhur kontrata të reja duke shfrytëzuar të drejtën ligjore sipas LPP-së, me procedurë të negociuar, me ç’rast ka arritur të ulë çmimin në vlerën 13 490 euro (të gjitha dokumentet gjendën në Kuvend).
  1. Paraprakisht, më 24 shkurt 2017, Zyra e Sekretarit të Kuvendit, ka ftuar nëpërmjet emailit gazetaren e artikullit, Saranda Ramaj, për të parë të gjithë dokumentacionin përkatës, sepse tema të kësaj natyre është vështirë të trajtohen vetëm me pyetje- përgjigje. Gazetarja nuk ka denjuar të vijë dhe të shoh nga afër dokumentacionin dhe ka ndërtuar artikullin me të dhëna të paqëndrueshme.
  1. Ftojmë gazetarët e interesuar që të vijnë në Kuvend dhe të njihen drejtpërdrejt me të gjitha procedurat që janë zhvilluar lidhur me lëndën e cila ishte subjekt i artikullit të botuar, si dhe me gjithë dokumentacionin përkatës.

Me respekt,
Zyra e Sekretarit të Kuvendit

Të ngjashme