Sot edhe zyrtarisht legalizohet muri i Mitrovicës, i ndërtuar nga serbët në veri të Ibrit, fare pranë urës kryesore. Kryesuesi i Kuvendit të Mitrovicës së veriut, Dejan Gureshiq, ka ftuar këshilltarët komunalë të veriut në seancë të jashtëzakonshme me vetëm një pikë të rendit të ditës, “miratimi i projektit të rregullimit urban të zonës së këmbësorëve në rrugën “Mbreti Petar I”, në pajtim me marrëveshjen e Brukselit”, me të cilin edhe zyrtarisht legalizohet muri i ndërtuar në atë pjesë.
Bashkim Cimili, shef i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së në Kuvendin e Mitrovicës së veriut, i ka thënë gazetës “Zëri”, të dielën, se këshilltarët shqiptarë në Kuvendin e Mitrovicës së veriut do ta kundërshtojnë këtë projekt si dhe do të përpiqen që edhe me këshilltarët tjerë të pamundësojë miratimin e këtij projekti, i cili edhe zyrtarisht e legalizon murin e Mitrovicës.
“Gjithsesi ne do të përpiqemi ta ndalojmë miratimin e këtij projekti, Grupi i Këshilltarëve të PDK-së në Kuvendin e Mitrovicës së veriut kemi mbajtur një takim, të shtunën, dhe kemi konstatuar se projekti siç është propozuar është në kundërshtim të plotë me marrëveshjen e Brukselit, andaj do të përpiqemi që edhe me kolegët tanë nga subjektet tjera politike shqiptare dhe me kolegun nga radhët e boshnjakëve ta pamundësojnë miratimin e projektit. Natyrisht që përkundër argumenteve që kemi për ta kundërshtuar këtë projekt, këshilltarët serbë kanë numrat për ta votuar atë”, ka thënë Cimili.
Ai ka shtuar se ka parë të kryetari Rakiq një version të dytë të projektit, sipas të cilit muri ka 3-4 shkallë dhe ndryshon nga pjesa e parë e projektit në të cilin muri figuron në lartësinë që ka tani. “Ka mundësi që të propozohet për miratim versioni i dytë, do të thotë që muri të ketë shkallë”, ka thënë Cimili për “Zërin”.
Miratimin e këtij projekti në Kuvendin e Mitrovicës së veriut, kryetari Goran Rakiq, e kishte paralajmëruar menjëherë pas vendimit të institucioneve të Kosovës që muri të rrënohet dhe pas miratimit të Rezolutës për murin në Kuvendin e Kosovës. Rakiq madje është kërcënuar se nëse Qeveria e Kosovës rrënon murin, atëherë komuna e Mitrovicës së veriut do ta rrënojë rrethrrotullimin tek ura, që është pjesë e projektit të revitalizimit të urës.
Pas këtij zhvillimi që ishte paralajmëruar nga kryetari i Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, hapja e urës mbi lumin Ibër, e paraparë për 20 janar nuk do të ndodhë, pasi që ka mbetur peng i murit të ndërtuar ilegalisht nga serbët e veriut të Mitrovicës ngjitur me sheshin, i cili sipas Marrëveshjes së Brukselit të arritur më 25 gusht 2015 do të duhej të shndërrohej në shëtitore për qytetarët e veriut të Mitrovicës.