Me 63 vota për, deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë votuar pro vendimit të Qeverisë për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë, raporton Ekonomia Online.
Fillimisht u zhvillua një debat me opozitën, të cilët ishin kundër zgjatjes së këtyre masave.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se situata në Ukrainë e ka ndikuar çmimin e naftës, gazit dhe energjisë.
Ajo ka thënë se pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka shkaktuar trazim të tregjeve ndërkombëtare.
Rizvanolli ka shtuar se në rast të vazhdimit të konfliktit çmimi i rrymës në Evropë e në Kosovë do të vazhdojë të rritet.
Ajo ka kërkuar miratim të masave emergjente për furnizim me energji elektrike.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se nuk do të marrin pjesë në votim të vazhdimit të masave të përkohshme.
Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku ka thënë se e kanë paralajmëruar shumë më herët rritjen e çmimit të energjisë elektrike porse kjo nuk është marrë parasysh.
Ajo ka thënë se as LDK-ja nuk do të marrë pjesë në votim, duke shtuar se e kundërshtojnë zgjatjen e masave emergjente.
Deputetja Hykmete Bajrami ka kërkuar nga ministrja Rizvanolli se cili është instrumenti që e parandalon krizën energjetike.
“Kemi përfunduar me dhënien e 120 milionë eurove nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe me rritje të tarifave”, ka thënë ajo.
Ministrja Rizvanolli duke iu përgjigjur Bajramit ka thënë se vazhdimi i masave është me rëndësi sepse e mundëson vazhdimin e operimit të ekipit emergjent teknik.
Ajo e ka përmendur edhe ndalimin e mihjes së kriptovalutave që ka rezultuar me aksione në veri të vendit, duke shtuar se kanë kursyer energji elektrike.
Rizvanolli ka thënë se kanë vendosur që të ketë subvencionim që e ka efektin e njëjtë si heqja e TVSH-së.
Deputeti i VV-së, Haki Abazi ka thënë se masat nuk janë të shpejta e të lehta “por na lejojnë të veprojmë në përputhje me strategjinë për energji që është në përpilim e sipër”.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka thënë se janë pro masave, porse kanë kërkuar nga Qeveria të veprojë me shpejtësi në veri.
“Duhet urgjentisht të veprohet dhe të mos vazhdohet me masa ad-hoc.