Kuvendi voton rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, Kurti paralajmëron padi ndaj Serbisë

Prishtinë | 07 Kor 2021 | 12:18 | Nga Aulona Sylaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar me 89 vota për, rezolutën për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë, raporton Ekonomia Online.

Bahrim Sabani nga Vakat ka kërkuar mbështetja nga deputetët për kalimin e kësaj rezolute duke thënë se kështu që arrihet drejtësia për Srebrenicën.

“Të miratohet kjo rezolutë që të kemi drejtësi dhe regjioni të ketë sytë nga e ardhmja që popujt të pajtohen”.

“Ata që mohojnë gjenocidin e krimit që është bërë në zemër të Evropës kjo do të ndikojë që jetë mjetë i pajtimit. Krimet e kryera nga serbët në Srebrenicë përbëjnë gjenocid. Kjo është njohur edhe nga GjND”.

Deputetja Dude Balje ka thënë se Srebrenica është simbol i gjenocidit të kryer.

“Srebrenica na kujton familjet e detyruara të ikin me autobus me sy të lidhur. Qyteti Srebrenica është simbol për vrasjet që kanë ndodhë atje dhe mund të quhet gjenocid”.

“Ky krim nuk duhet ti ikë drejtësisë. Këtë që bëjmë në parlament do është konfirmim i respektimit të viktimave”.

Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci ka thënë se VV-ja i jep mbështetje të fuqishme kësaj rezolute në mënyrë që të dënohen krimet e Srebrenicës të cilat i përjetuam edhe në lëkuren tonë.

“Është e vështirë të jetosh duke mos ditë fatin e familjarëve. Vuajtjet e popullit boshnjak i dimë më së shumti ne, ngjashëm që përjetuam gjatë luftës së fundit në Kosovë”.

“Gjenocidi në Stebrenicë është prej krimeve më të rënda prej luftës së dytë botërore krimet këto që vazhduan edhe në Kosovë dhe i kemi përjetuam edhe në lëkuren tonë. Në emër të LVV-së tregoj që fuqishëm e mbështesim këtë rezolutë që është dashtë të ndodhë edhe më herët”.

Edhe grupet e tjera parlamentare si PDK, LDK e AAK i kanë dhënë përkrahje miratimit të kësaj rezolute.

Abelard Tahiri nga PDK-ja ka thënë se është më se i rëndësishëm miratimi i kësaj rezolute.

“Edhe PDK e mbështet këtë rezolutë. Nuk mund të anashkalojmë faktin për vonesë të dënimit të meritur nga drejtësia ndërkombëtare. Është i rëndësishëm e i nevojshëm miratimi i një rezolutë të tillë. Ata që i kanë kryer këto krime në Srebrenicë të marrin dënimin e merituar”.

Driton Selmanaj nga LDK-ja ka thënë se i bashkohen dënimit të këtij akti në Srebrenicë.

“Jemi vonuar, por u bashkohemi kësaj dhe jemi të bindur se këto akte do të vazhdojnë të dënohen fuqishëm”.

Kurse Besnik Tahiri nga AAK-ja ka thënë se rezoluta është e vonuar.

“E mbështesim rezolutën dhe konsiderojmë që është më së e vonuar”.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se dënimi i krimeve gjenocidale të Srebrenicës duhet të jetë i padiskutueshëm.

“Ky është veprim fisnik e i duhur në emër të universales sonë njerëzore, dëshirës sonë për drejtësi. Dënimi i krimeve gjenocidale duhet të jetë i përhershëm i padiskutueshëm e i kudondodhur. Çdo vit e kujtojmë Srebrenicën duke kërkuar drejtësi.

Poashtu Kurti ka theksuar se kjo Qeveri ka filluar të përgatisë me kujdes padinë për gjenocid ndaj Serbisë.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në Kuvend:

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës,

I nderuari Kryetar i Kuvendit të Republikës, z. Glauk Konjufca,

E nderuara zëvendëskryeministre, znj. Emilija Redzepi,

Të nderuar ministra,

Sot po e mbështesim një rezolutë me rastin e 26 vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë të Bosnjës.

Ky është veprimi fisnik e i duhur, jo vetëm në emër të Kosovës, të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera që i përfaqësoni, por mbi të gjitha në emër të universales tonë njerëzore, dëshirës sonë për paqe dhe drejtësi. Srebrenica është masakra më e madhe e ndodhur në kontinentin Evropian pas Luftës së Dytë Botërore. Dënimi i krimeve gjenocidale, të cilin po e bëjmë edhe përmes rezolutës së sotme, duhet të jetë i përhershëm, i padiskutueshëm, dhe i kudondodhur, në mënyrë që në të ardhmen ato të mos përsëriten kurrë më.

Përvit ne e kujtojmë Srebrenicën, duke bërë thirrje për drejtësi. Pesë vite më parë, me 11 korrik të vitit 2016, unë shkova për homazhe në Srebrenicë, i ftuar nga Lëvizja e Nënave të Enklavave të Srebrenicës dhe Zhepës, si dhe nga kryetari i Shoqatës së Viktimave dhe Dëshmitarëve të Gjenocidit.

Srebrenica ishte e mbushur me varre e me përkujtimore. Çka i thonë botës, çka na thonë ne, ato varre të gurta?

Së pari, gurët e varreve ankohen për mungesën e trupave. 8372 burra e djem boshnjakë, shumica myslimanë e një pakicë katolikë, janë vrarë prej ushtrisë e paramilitarëve serbë. Por më pak se 7000 trupa janë identifikuar e janë vënë të prehen në varrezat memoriale të Potoçarit. Cilët janë ata kriminelë që nuk u mjaftuan me vrasjen, por bëjnë krim mbi krim, duke mos treguar se ku i kanë hedhur trupat e të vrarëve? Ç´është kjo mizori, që i lë nënat, gratë, motrat e vëllezërit, fëmijët e atyre burrave, edhe sot pas 26 vitesh, pa një varr për të qarë?

Së dyti, gurët e varreve ankohen për mungesën e ndëshkimit të fajtorëve. Milosheviqi, kasapi i Ballkanit, vdiq i padënuar. Bashkëpunëtorët e tij, mbi 4 mijë ushtarakë serbë të dërguar në Bosnje dhe Hercegovinë nga Serbia, shumica jo vetëm që janë ende të lirë, por ka edhe të atillë në pushtet politik e vendimmarrës. Sigurisht, ata sot nuk mund të përsërisin më krimet dhe gjenocidin, por bëjnë atë çka munden, duke fshehur trupat e viktimave, ndonjëherë duke fshehur edhe kriminelët, apo duke i lavdëruar ata. Kush i strehoi e i fshehu prej drejtësisë për vite me radhë Karaxhiqin e Mlladiqin? Kush refuzoi t´i dorëzonte tek drejtësia? Kush dëshironte t´i lavdëronte e të emërtonte bulevarde në emër të tyre? Karaxhiqi e Mlladiqi tashmë janë dënuar për pjesëmarrjen në gjenocid, dhe para pak ditësh u dënua edhe Stanishiqi e Simatoviqi, për implikim në krimet e kryera nga Serbia në Bosnjë. Por ende bashkëpunëtorët e tyre në këtë krim me përmasa monstruoze, nuk janë dënuar. Rezultatet direkte të gjenocidit, pra entitetet politike të dala nga spastrimi, siç është Republika Srpska ku kanë mbetur pak boshnjakë, vazhdojnë të funksionojnë, duke e defunksionalizuar Bosnjën. Edhe kriminelët, edhe rezultatet e krimit duhet të dënohen.

Së treti çka na thonë gurët e varreve? Na thonë të kemi kujdes nga ata që nuk guxojnë ta shohin në sy të vërtetën, nga ata që edhe sot e kësaj dite refuzojnë t´i thonë gjenocidit në emër. Të kemi kujdes nga ata që nuk kërkojnë falje për krimet e tyre, sepse ata që nuk e pranojnë fajin e nuk kërkojnë falje, thellë në zemër besojnë se kanë patur të drejtë. E nëse rrethanat ndryshojnë, ata shpresojnë ta përsërisin prapë të njëjtin faj, të njëjtin krim. Ne nuk guxojmë që të lejojmë që kjo të ndodhë. Nuk dëshirojmë ne të fajësojmë gjithë popullin serb, e as nuk dëshirojmë dënim hakmarrës ndaj kujtdo. Por udhëheqjes politike të Serbisë duhet t´i bëhet presion i pandalshëm nga të gjithë gjithandej deri sa të njohë e të pranojë krimet që ka bërë në Bosnjë, Kosovë e Kroaci, të kërkojë falje e të nisë një proces të ndëshkimit të kriminelëve. Politikanët serbë që mbrojnë krimet, nuk i bëjnë shërbim as popullit të vet, as paqes, e as zhvillimit të rajonit, por përkundrazi i pengojnë që të gjitha këto.

Ne sot përkujtojmë, me dhimbje e me respekt të thellë, martirizimin e 8372 burrave e djemve në Srebrenicë, por edhe dhimbjen e mijëra grave të përdhunuara, teksa shpërnguleshin dhunshëm për të krijuar realitetin e ri demografik. Ky krim mori emër, dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e sanksionoi si gjenocid.

Për mbi 12 mijë të vrarë në Kosovë, për rreth 20 mijë gra të dhunuara, për gati 1 milion të dëbuar me dhunë prej Kosovës, ne kemi krimin, dimë dhe autorët, por ende nuk e kemi një emër për krimin e për pasojë as ndëshkimin e duhur për autorët. Ne gjendemi përballë një situate sikurse ajo që e përshkruante Winston Churchilli kur konstatonte krimet hitleriane, gjendemi përballë një krimi pa emër. Është detyrë e jona për kujtimin dhe respektin ndaj viktimave e familjeve të tyre, por edhe ndaj botës mbarë, që t´ia japim emrin e duhur këtij krimi, prandaj qeveria jonë ka filluar me kujdes përgatitjet për padinë për gjenocid, që do ta ngremë kundër Serbisë.

Me dënimin e krimeve, përmes rezolutave si kjo që po miraton sot Kuvendi i Republikës së Kosovës, përmes padive si ajo që po përgatit qeveria e Kosovës, ne do të kontribuojmë që të mos përsëritet më gjenocidi, as në Srebrenicë, as në Kosovë, e askund tjetër në rajonin tonë.

E duam paqen vetëm duke kërkuar drejtësinë. Kush e harron drejtësinë, nuk punon për paqe.

Ju faleminderit!

Rezolutë e Kuvendi të Republikës së Kosovës, për gjenocidin në Srebrenicë:

Duke pasur parasysh:

–  Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventën për të Drejtat Civile dhe Politike, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut;

– Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB S/RES/827 25 maj 1993;

– Rezolutat e Parlamentit Evropian 7 korrik 2005, 15 janar 2009 dhe 15 korrik 2015 për Srebrenicën;

– Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës nr. 02/552, të datës 6 korrik 2005, me rastin e dhjetëvjetorit të masakrës në Srebrenicë;

– se pas okupimit të dhunshëm të Srebrenicës, e cila ka qenë zonë e mbrojtur e OKB-së, nga e ashtuquajtura URS, e ndihmuar dhe e financuar nga regjimi i atëhershëm i Republikës së Serbisë, më 11 korrik 1995, në mënyrë të planifikuar, kanë vrarë mbi 8.000 boshnjakë, kanë dhunuar një numër të madh të grave, dëbuar dhunshëm mbi 25.000 pleq, gra dhe fëmijë;

– se krimet e kryera nga forcat serbe në Srebrenicë përbëjnë krim të gjenocidit siç është definuar në Konventën e OKB për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, 9 dhjetor 1948;

–  se masakra në Srebrenicë është njohur dhe e pranuar si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë në Aktgjykimin e Apelit, Rasti Nr.: IT-99-33, 19 prill 1993;

– Vendimin e apelit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë 26 shkurt 2007, që konstaton se aktet e kryera në Srebrenicë dhe rrethinë rreth datës 15 korrik 1995, janë akte të gjenocidit të kryera nga te ashtuquajtur ushtarët e URS  dhe se të njëjtat duhet të quhen me emrin e vërtetë: Gjenocid.

– se krimi i rëndë i kryer nga forcat e ashtuquajtur URS në Srebrenicë është cilësuar gjenocid dhe krimi më i rëndë në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, me disa aktgjykime të plotfuqishme për gjenocidin, nga Tribunali i Hagës;

– Aktgjykimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Rastin Nr. IT-09-92-T, 22 nëntor 2017  dhe vendimin e Apelit të Mekanizmit të Përhershëm Ndërkombëtar për Gjykatat Penale për rastin MICT-13-56-A, 8 qershor 2021; duke iu bashkangjitur rezolutave dhe deklaratave të ngjashme të vendeve demokratike, organizatave ndërkombëtare dhe Parlamentit të BE-së,

KUVENDI I REPUBULIKËS SË KOSOVËS

Miraton këtë:

R E Z O L U T Ë

Për gjenocidin në Srebrenicë

1. Dënohet ashpër gjenocidi i regjimit serb në Srebrenicë ndaj pjesëtarëve të popullit boshnjak dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut.

2. Konstaton dhe pranon se, pas pushtimit të Srebrenicës nga forcat ushtarake të URS, të njëjtat për disa ditë kanë kryer masakra në Srebrenicë dhe rrethinë, duke vrarë e masakruar mbi 8000 burra, djem dhe të mitur boshnjakë.

3. Ndjen dhe shpreh pikëllimin e thellë për njerëzit e pafajshëm që kanë pësuar në gjenocidin e Srebrenicës, gjatë luftës së përgjakshme në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe iu shpreh ngushëllime anëtarëve të mbijetuar të familjeve.

4. Dënon fuqishëm çdo tendencë për të mohuar qëllimisht dhe publikisht gjenocidin e Srebrenicës, me qëllim të denigrimit të viktimave dhe fshehjen e motiveve të krimeve të kryera.

5. Fton institucionet shtetërore që të nderojnë viktimat e gjenocidit në Srebrenicë dhe, duke marrë parasysh se Parlamenti Evropian e ka shpallur këtë Ditë e Përkujtimit për gjenocidin në Srebrenicë, datën 11 korrik të shpall ditë përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë.

6. Fton të gjitha shtetet që të bëjnë përpjekje shtesë për t`i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për planifikimin dhe kryerjen e gjenocidit në Srebrenicë. 

Të ngjashme