Në vjeshtën e vitit 1988, një vajzë 13-vjeçare u përdhunua dhe u vra në shtratin e saj. Krimi do të shokonte këdo, mirëpo në Hwaseong, asokohe një zonë rurale e Seoul, Kore e Jugut, krime të tilla ndodhnin rregullisht. Ajo ishte vajza e tetë që vritej brenda një periudhe prej 2 vitesh.
Afërsisht një vit pas krimit, policia mbërriti në shtëpinë e një djaloshi 22-vjeçar, mekanik, i cili për pak do të hante darkë. “Për çfarë është kjo?” pyeti Yoon, emri i plotë i të cilit nuk dihet për shkak të ligjit të Koresë së Jugut që mbron privatësinë e njerëzve të dyshuar për krime. “Nuk do të mbajmë gjatë,” u përgjigjën oficerët e policisë.
Oficerët e çuan Yoon në një dhomë të vogël ku e morën në pyetje për tri ditë me radhë. Pas orëve të pyetjeve, ata regjistruan një rrëfim. Yoon i tha policisë se natën e vrasjes doli të merrte pak ajër të pastër. Gjatë shëtitjes, iu desh të ndalonte disa herë, sepse poliomieliti i kishte dëmtuar gjymtyrët. Gjatë mesnatës, Yoon pa një dritë ndezur në një shtëpi dhe referuar rrëfimit të tij, “ndjeu një nevojë urgjente për përdhunim”. Sipas transkripteve të rrëfimit, ai kapërceu dritaren dhe përdhunoi vajzën edhe pse e dinte që prindërit e saj po flinin në dhomën ngjitur.
Pas kësaj, dogji rrobat dhe shkoi në shtëpi. Nuk dihet asnjë e dhënë për vajzën dhe familjen e saj, që nuk preferoi të fliste për mediat. Historia e Yoon është e çuditshme: Ai rrëfeu krimin, u dënua me burim të përjetshëm dhe u lirua 20 vite më vonë. Problemi me gjithë këtë është fakti që Yoon nuk vrau dhe nuk përdhunoi kurrë njeri.
Përpara vitit 1986, Hwaseong ishte një vend ku të gjithë njiheshin me njëri-tjetrin dhe nuk ndodhte asnjë krim i këtyre përmasave. Por në këtë vit shumë gjëra ndryshuan. Në shtator, nisën një seri vrasjesh dhe në të gjitha rastet, vajzat dhe gratë u përdhunuan më parë. Viktimat ishin shtëpiake, nxënëse dhe punëtore. Më të rejat ishin adoleshente, ndërsa më e vjetra një 71-vjeçare.
Askush nuk ishte i sigurt. Krimet rriteshin dhe njerëzit e Hwaseong kishin gjithnjë e më shumë frikë.
Pas ngjarjeve tronditëse, përgjegjësia ra mbi policinë lokale. Por teksa ngjarjet rriteshin, u desh ndihma e hetuesve të qyteteve të tjera. “Në vrasjen e tetë, policia pa që rasti ishte serioz. Pati një mbulim të madh mediatik dhe banorët u frikësuan,” tha detektivi Ha, një nga drejtuesit e hetimit. Policia ishte e sigurt që po kërkonte një vrasës serial, por kishte pak të dhëna.
Asokohe, nuk kishte kamera sigurie, testime ADN-je dhe policia duhet të gjente mënyra më “kreative” për të zbuluar vrasësin. Pavarësisht përpjekjeve, autoritetet nuk mundën të gjenin asgjë. Asnjë gjurmë.
Në shtator të 2019-s, një nga zyrtarët e fundit të ngarkuar me hetimin e vrasjeve të shumta në Hwaseong, bëri një njoftim tronditës. Në korrik, policia dërgoi prova që mbaheshin në dosje prej 30 vitesh dhe testoi ADN-në. Provat e ADN-së treguan se tre nga vrasjet e famshme u kryen nga një person i identifikuar se Lee Chun-jae. Ai mbahej në burg i dënuar me burgim të përjetshëm për përdhunimin dhe vrasjen e kunatës në 1994-n. Një muaj më vonë, u zbulua se katër vrasje të tjera të pazbardhura patën si përgjegjës Lee Chun-jae.
Ai bëri një nga rrëfimet më tronditëse në Korenë e Jugut. Lee rrëfeu se ishte autor i 10 vrasjeve, përfshirë këtu edhe atë të një vajze 13 vjeç. Kështu Yoon shpenzoi 20 vite në burg për një krim që nuk e kishte bërë. Mirëpo përballë kësaj, policia kishte një tjetër enigmë: Yoon pranoi se ishte vrasësi. Pse?
Kur merrej në pyetje nga policia, Yoon u la pa gjumë për plot 3 ditë. Të qëndruarit zgjuar ishte një praktikë që përdorej së tepërmi nga policia në Korenë e Jugut, me qëllim marrjen e rrëfimeve. Yoon nuk dinte asgjë për ligjin, nuk kishte mbaruar as filloren, ndaj për të shpëtuar nga dënimi me vdekje, i frikësuar, firmosi 3 letra ku deklaronte veten autor të vrasjes.
“Ishte një makth,” tha ai. “Kur nuk fle për tri ditë me radhë, ti nuk e di më se çfarë thua. Nuk mban mend asgjë. Nuk mendon me arsye. Pyet veten nëse e ke kryer krimin ose jo.” Në fund, Yoon firmosi dhe shpenzoi 20 vite në burg, derisa vrasësi i vërtetë bëri rrëfimin tronditës.