Ky draft i PZhK-së për Prishtinën nuk duhet të aprovohet!

Prishtinë | 25 Maj 2024 | 14:56 | Nga Driton Tafallari

Për mua, Plani Zhvillimor Komunal (PZhK) është dokumenti i dytë më i rëndësishëm shtetëror (pas Kushtetutës) i cili i përcakton politikat e zhvillimit komunal për së paku 8 vite. Kandidatët për kryetar të komunave mund të bëjnë fushata e plane sa të dojnë por, nëse nuk janë në përputhje me PZhK, programet e tyre vështirë zbatohen.

Është duke qarkulluar drafti i ri PZhK 2023 – 2031 për Prishtinë dhe sipas disa informatave, pritet që të dërgohet në kuvend komunal për aprovim.

Ky draft i PZhK-së nuk duhet të aprovohet!

Edhe pse kanë kaluar rreth 12 vjet nga plani i fundit, ma mirë është të pritet edhe pak sesa të aprovohet një PZhK sa për sy e faqe. Një ndër arsyet kryesore që mendoj që PZhK nuk duhet të miratohet me ngut është mungesa e statistikave të azhurnuara, pa të cilat është e pamundur përpilimi i çfarëdo dokumenti strategjik kualitativ. Shumica e të dhënave të përdorura në draftin e PZhK-së janë të marra nga regjistrimi i popullsisë dhe banesave të vitit 2011 të cilat për 13 vite kanë ndërruar rrënjësisht, sidomos në fushën e banimit.

Për analizë të banimit, në draftin e PZhK-së është marr që në Prishtinë ekzistojnë rreth 59,500 njësi banesore e nxjerrë, qysh e thash, nga regjistrimi i vitit 2011. Për 13 vjet numri i objekteve banesore është rritur në mënyrë drastike dhe nuk ka shanse teorike që në Prishtinë të ketë vetëm 59,500 njësi banesore e që me këta numra të dyshimtë çfarëdo analizë bëhet e pavlerë. Në fakt, sipas disa informatave, në 15 vitet e fundit janë ndërtuar ose janë në proces të ndërtimit rreth 10 milion m2 objekte banimi dhe afariste të reja (që i bjer rreth 125,000 njësi banesore). Nuk e di nëse kjo informatë është e saktë, mirëpo komuna e Prishtinës ishte dashtë me e ditë sa është numri i njësive banesore sepse është informatë bazike. Ishte dashtë që të ekziston një softuer i cili i mbledh informatat e lejeve të lëshuara ndërtimore, rrjedhën e procesit të ndërtimit – përfshi kualitetin, shpërndarjes gjeografike si dhe pranimeve teknike e jo të pritet çdo 10 vjet kur bëhet regjistrimi nga Agjensioni i Statistikave. Pa këto informata është i pakuptimtë çfarëdo planifikimi për banim. Duhet të dihet se çka është duke ndodh me krejt ata vinça të ndërtimit anembanë Prishtinës e kjo duhet të reflektohet në Planin Zhvillimor Komunal.

Në anën tjetër, në vitin 2015 kanë dal informata nga Qeveria e Kosovës se në Prishtinë janë rreth 46,000 objekte të pa legalizuara e që edhe kjo është shumë e dyshimtë sepse shumica e ndërtesave të ndërtuara nga viti 2011, e që janë shumë, nuk kanë pranim teknik. Plus, numri i banorëve për Prishtinë është enigmë në vete.

Meqenëse veçse jemi në proces të regjistrimit të popullsisë dhe banesave, është mirë që Komuna e Prishtinës të pret edhe pak dhe Planin Zhvillimor ta përputh me të dhëna të sakta. Caktimi i koeficienteve për ndërtim, e që e kam përshtypjen është një ndër brengat kryesore, duhet të analizohet mirë dhe është e pamundur të bëhet pa statistika të sakta. E masandej nuk duhet të pritet që të merren informata nga regjistrimi i radhës pas 10 vitesh por të ketë azhurnim të të dhënave nga vet komuna duke e krijuar një softuer adekuat, nëse nuk ekziston. Një problem tjetër që mund të del është numri i banesave të zbrazëta i cili mendoj që është shumë i madh e që me regjistrim do të jetë e vështirë të identifikohen. Për këtë arsye është tepër me rëndësi që vet komuna të gjej mënyrën për mbajtje të statistikave për banim dhe jo vetëm.

Kam vërejtje edhe në aspektin cilësor të trajtimit të banimit në PZhK. Këtu po e përmendi vetëm një fakt por shumë me rëndësi. Në PZhK nuk ka fare planifikim që edhe komuna e Prishtinës të jetë hisedar i stoqeve të banimit. Sa për info, Vjena në total i ka rreth 800,000 objekte banimi e gati në gjysmën nga to është hisedar. Numri i banesave në pronësi të Prishtinës është ZERO (nëse nuk merren parasysh banesat sociale). Është jashtë çdo logjike që nëse në Prishtinë janë ndërtuar 10 milion m2 banesa/lokale, qysh është e mundur që Kryeqyteti të mos ketë asnjë banesë të vetën?

Aspektin cilësor të trajtimit të banimit do ta trajtoj tjetër herë më detajisht.

Të ngjashme