Edhe para rebelimit të Wagnerit, një nga misteret e mëdha të luftës së Rusisë në Ukrainë ishte toleranca e Putinit.
Vdekja zgjidh të gjitha problemet, dyshohet se ka thënë dikur Joseph Stalin. Dhe kështu, rrëzimi i avionit në rajonin Tver të Rusisë të mërkurën mund të ketë zgjidhur një nga problemet më të vështira me të cilat përballej presidenti rus Vladimir Putin. Duke parë prapa, misteri më i madh për vdekjen e Yevgeny Prigozhin është fakti se si ai mbijetoi kaq gjatë, vlerëson në komentin e tij gazetari dhe opinionisti britanik i Telegraph, Roland Oliphant.
Që kur ai marshoi ushtrinë e tij të mercenarëve të pakënaqur drejt Moskës në qershor, gazetarët pranë Kremlinit kanë pyetur veten pse Putini e lejoi Prigozhinin të qëndronte gjallë dhe në liri.
Pra, nëse në rastin e një përplasjeje normale avioni do të ishte e papërshtatshme të spekulohej për shkaqet, pakkush do ta besojë se në këtë rast kishim të bënim vërtet me një aksident.
Edhe para rebelimit të Wagnerit, një nga misteret e mëdha të luftës së Rusisë në Ukrainë ishte toleranca e Putinit ndaj ish-aleatit të tij shumë të zëshëm, shpërthyes dhe haptazi ambicioz.
Një ‘biznesmen’ me një reputacion krimineli dhe banditi, Prigozhin ka qenë prej kohësh xhokeri i Kremlinit – duke trajtuar gjithçka, nga ndërhyrja në zgjedhjet e 2016-ës në SHBA e deri te udhëheqja e një grupi mercenar, një grupi famëkeq që përmbush jozyrtarisht interesat e Kremlinit në luftërat në Ukrainë, Siri dhe Libi.
Që nga momenti kur luftëtarët e tij iu bashkuan luftës në Ukrainë – më shumë se një muaj pas fillimit të pushtimit – Prigozhin filloi ta ngritë imazhin e tij publik si një komandant i lavdishëm lufte.
Ai shpejt filloi ta portretizonte veten si udhëheq dhe përfaqësues i luftëtarëve të zakonshëm, duke sulmuar publikisht komandën e lartë ushtarake dhe duke u ballafaquar me një grup të fuqishëm politik që Putini normalisht e mban për vete – nacionalistët e linjës së ashpër dhe klasën punëtore që formojnë shtyllën kurrizore të makinës së luftës ruse.
Megjithatë, ai kurrë nuk mund të triumfonte në një debat me Sergei Shoigun, ministrin rus të Mbrojtjes, i cili është një veteran i Kremlinit. Ndoshta shumë vonë, ai e kuptoi se kishte nisur një betejë që nuk do të mund ta fitonte.
Rebelimi i 24 qershorit, për të cilin Prigozhin këmbënguli se ishte drejtuar kundër Shoigut dhe udhëheqjes ushtarake, jo Presidentit Putin, mund të jetë nxitur nga mungesa e opsioneve që atij i kishin mbetur.
Përgjigja e Putinit për këtë ishte konfuze – së pari ai e diskreditoi Prigozhinin si tradhtar dhe paralajmëroi se do të ndëshkohej rëndë, më pas u ul me të në Kremlin, e ftoi në një samit me liderët afrikanë në Shën Petersburg dhe me sa duket i dha leje që të vazhdonte punën e tij mercenare jashtë vendit.
Dy ditë më parë, Prigozhin postoi një video mesazh nga Afrika – por ai duhet ta kishte kuptuar që nuk kishte kthim prapa.