Ky është numri total i femrave në FSK

Prishtinë | 14 Jan 2020 | 16:58 | Nga Ekonomia Online

Rreth 300 gra janë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Nga mbi 3 mijë pjesëtarë që numëron ushtria, 10 përqind e tyre janë gra, ka thënë zëdhënësja e FSK-së, Kosovare Hoxha.

Hoxha i ka thënë Insajderit se në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë edhe shumë pjesëtare femra, të cilat mbajnë të veshur uniformën dhe përballen me sfidat dhe situatat e veçanta që kërkon misioni i kësaj force.

“Përqindja totale e femra në FSK është 10.8%, kjo tregon një interesim të madh të femrave për t’u bërë pjesë e ushtrisë. Prej tyre ka me grada kolonele, nënkolonele, majore, kapitene, etj”, ka thënë Hoxha.

Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua më 2009 në bazë të Planit të Ahtisaarit, dokument që çoi drejt pavarësimit të Kosovës. Tranzicioni i FSK-së nga një forcë për emergjenca civile në Ushtri, ishte një proces i gjatë që u finalizua në fund të vitit 2018, pas mbështetjes që Kosovës i erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Aktualisht, kjo Forcë është në fazën e transformimit në Ushtri, e cila parashihet të zgjasë nga 7 – 10 vjet. Kjo Forcë, është ngritur nën mbikëqyrjen e NATO-s, por misioni dhe kapacitetet e saj, nuk përkuan me ambicien e institucioneve, që Kosova ta ketë Ushtrinë e saj.

Të ngjashme