Ky është personi i arrestuar që dyshohet se planifikoi ekzekutimin e të riut “Dhija” në Podujevë

Prishtinë | 12 Sht 2023 | 08:08 | Nga Ekonomia Online

Podujeva të hënën u trondit nga vrasja e rëndë që ndodhi në pikë të ditës, në rrugën “Zahir Pajaziti”, ku si pasojë e të shtënave me armë, një person mbeti i vrarë, teka gruaja e tij u plagos. Viktima Valmir Breznica u qëllua me armë zjarri, për motive akoma të panjohura. Policia në koordinim me Prokurorinë kanë nisur hetimet, ndërkohë që tashmë është arrestuar një person që dyshohet se është i përfshirë në rast.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personi që u arrestua mbrëmë nën dyshimet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje” është Arsim Syla, 48-vjeçar.

Sipas informacioneve të para, i dyshuari Arsim Syla, ka qenë bashkë me dorasin pak para se të ndodhte krimi, duke e planifikuar vrasjen e 34-vjeçarit, i cili mbeti i vdekur në vend nga të shtënat me armë zjarri.

Të njëjtat burime thonë se Policia ka kryer edhe bastisje në shtëpinë e tij në fshatin Gllamnik dhe i njëjti më pas është prangosur e shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve për të zbardhur rrethanat e rastit tragjik.

Personi që mbeti i vrarë Valmir Breznica, (34-vjeçar) i cili njihej me nofkën “Dhija” nuk arriti t’iu bëjë ballë plagëve dhe ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ku ekipi mjekësor e ka konfirmuar vdekjen e tij. Ndërsa bashkëshortja e tij, e cila u plagos, është dërguar në spital për trajtim mjekësor.

Bëhet e ditur se gruaja që u plagos ka qenë bashkë me burrin e saj në momentin kritik, ashtu që posa ka nisur të vrapojë kur janë dëgjuar të shtënat, është qëlluar edhe ajo, por fatmirësisht ka shpëtuar.

Ndërkohë, Raporto24 ka publikuar disa fotografi, ku shihet personi i dyshuar duke nxjerrë armën, me të cilën vrau më pas të riun.

Lidhur me incidentin tragjik janë deklaruar edhe nga Policia e Kosovës, me ç’rast kanë bërë të ditur se po ndërmarrin veprimet e nevojshme për identifikimin e personave të dyshuar.

“Rreth orës 12:30, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri, në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para të marra nga mjekët emergjent është konfirmuar se një person është pa shenja jete ndërkaq një tjetër ka mbetur i plagosur.

Aktualisht policia po vijon punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore, me qëllim të zbardhjes së rrethanave të ngjarjes si dhe identifikimin e të dyshuarve.”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Të ngjashme