Policia e Kosovës ka identifikuar dhe tashmë ka shpërndarë te personeli i saj fotografinë dhe të dhënat e personit që ajo e konsideron të dyshuar për vrasjen e Ermal Kamberajt, që ndodhi të premten në mbrëmje, në një kafiteri në Mitrovicë.
Gazeta Blic ka siguruar nga burimet e saj në Policinë e Kosovës, të dhënat për personin që po e kërkon policia.
Ai është Arton (Idriz) Bajrami, i datëlindjes 1979, me vendbanim në Shipol të Mitrovicës. Artoni, i cili thuhet se e ka ndërruar emrin në Sadik, ndodhet në arrati.
Ermal Kamberaj është vrarë mbrëmë në vendin e tij të punës në një kafiteri të Mitrovicës. Vrasja e tij ka shokuar qytetarët e Mitrovicës dhe më gjërë.
I ndjeri ështe varrosur sot dhe në ceremoninë e varrimit të tij kanë marrë pjesë mijëra qytetarë.
Në shenjë mospajtimi me vrasjen e mbrëmshme qytetarë të Mitrovicës të prirë nga shoqëria civile nesër kanë ftuar një marsh protestues.