Mike Pompeo ishte një kongresmen i pakompromis republikan para se presidenti Donald Trump ta emëronte në krye të CIA-s, dhe më pas edhe ta vine në krye të Departamentit të Shtetit.
“Ai do ta bëjë një punë fantastike”, ka thënë Trump në Twitter, pak pasi që e ka emëruar atë.
Pompeo shihet si besnik i Trump-it, i cili ka performuar një akt delikat balanci në CIA, në menaxhimin e marrëdhënieve të tendosura mes agjencisë së spiunazhit dhe një kreu të shtetit i cili i kishte krahasur shërbimet e inteligjencës amerikane me nazistët.
Ai në të kaluarën ka minimizuar të gjeturat e CIA-s, se rusët kanë tentuar që të ndikojnë në zgjedhjet e fundit në SHBA. Por ai po ashtu ka shfaqur gatishmëri që ta kundërshtojë presidentin në këtë çështje.
Kur Trump kishte thënë se i beson mohimet e presidentit rus, Vladimir Putin, Pompeo kishte qëndruar prapa vlerësimeve amerikane për ndërhyrjen e supozuar të Moskës.
Pompeo shihet si më i ashpër karshi Kremlinit se sa presidenti, dhe në të kaluarën ka tërhequr vërejtjen se presidenti Putin është një lider i rrezikshëm.
Gjatë kohës së tij në kongres, ai kishte qenë kritik i madh i marrëveshjes nukleare me Iranin të administratës së Barack Obamës.
Pompeo ka diplomuar i pari në klasën e tij në West Point, dhe është i diplomuar në Harvard, ku kishte qenë redaktor në Rishikimin e Ligjit të tij.
Ai ishte zgjedhur në Shtëpinë e Përfaqësuesve më 2010 me përkrahjen e donatorëve të mëdhenj të republikanëve, Charles dhe David Koch.
Pompeo ishte bërë anëtar i komitetit të inteligjencës dhe panelit të tij të energjisë dhe tregtisë.
Para se t’i bashkohej Kongresit, ai kishte themeluar një firmë me pjesë të aeroplanëve , dhe një kompanie furnizimi me naftë.
Ai ishte akuzuar për Islamofobi për komentet e tij pas sulmit me Bombë në Maratonën e Bostonit më 2013.
Pompeo kishte sugjeruar që disa liderë besimtarë islamik mund të jenë duke i inkurajuar sulmet terroriste në mënyrë të heshtur.