Prokurori në Departamentin e Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Armend Hamiti do t’i hyj garës për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Këtë për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar vet prokurori Hamiti, i cili tha se do të jetë njëri nga kandidatët që do të aplikoj për këtë pozitë.
Dijabetičari mogu jesti sve! Naučnici su pronašli rešenje
Vendimi për shpalljen e konkursit për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit është marrë në takimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) të mbajtur më 12 janar 2022.
Kjo pasi Aleksandër Lumezit, i cili aktualisht ushtron këtë pozitë, i përfundon mandati më 21 prill 2022.
Pas shpalljes së këtij konkursi nga ana e KPK-së kishte reaguar Ambasada e Britanisë së Madhe, e cila e kishte cilësuar si befasues vendimin e marrë nga KPK pa përkrahjen e tyre, duke thënë se nuk ishte dëshmuar transparencë dhe partneritet.
Kjo ishte bërë e ditur përmes një njoftimi të publikuar nga Ambasada Britanike në ueb-faqen e saj zyrtare në “Facebook”.
Në njoftim e publikuar thuhej se kjo Ambasadë ka vite që e mbështetëKPK-në, e së fundi një mbështetje të tillë i ka ofruar këtij institucioni edhe sa i përket procesit rekrutues për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Por, siç ka njoftuar Ambasada Britanike, ndonëse kanë qenë duke pritur një përgjigje lidhur me këtë, vendimi i marrë nga KPK për të hapur këtë konkurs pa mbështetjen e tyre ka qenë befasues.
Ndërsa, më pas KPK ka reaguar ndaj njoftimit të bërë nga Ambasada e Britanisë së Madhe, duke theksuar se konkursi është hapur sipas afateve ligjore dhe se partnerët ndërkombëtarë ishin njoftuar për nisjen e këtij procesi.
Ndryshe, konkursi për këtë pozitë do të jetë i hapur 15 ditë pas shpalljes së tij, duke filluar nga data 17 janar.
KPK gjithashtu ka themeluar edhe Panelin Vlerësues për poentimin e kandidatëve që aplikojnë për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Anëtarë të këtij paneli, përveç kryesuesit të Këshillit, Jetish Maloku, përmes shortit u përzgjodhën anëtarët e KPK-së Ariana Shajkovci, Bedrije Syla-Alshiqi, Armend Zenelaj dhe Jovo Radoviq. Ky panel do të kryesohet nga kryesuesi i KPK-së.
Ndërsa, anëtarë të Komisionit për Rishqyrtim të kundërshtimeve të kandidatëve ndaj procesit të poentimit, pas tërheqjes së shortit u përzgjodhën anëtarët e KPK-së Veton Shabani, Ardian Hajdaraj dhe Agron Beka.
Lumezi mandatin e tij në këtë pozitë e kishte filluar më 21 prill 2015, pas dekretimit të tij nga ish-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, për një mandat shtatëvjeçar, pa mundësi riemërimi.
Konkursi për këtë pozitë, sipas Rregullores Nr. 06/2019 për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës, duhet të shpallet nga KPK 90 ditë para skadimit të mandatit të Kryeprokurorit aktual të Shtetit.
Konform Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, mandati i Kryeprokurorit të ri të Shtetit do të jetë shtatëvjeçar, pa mundësi riemërimi.