Drejtori ekzekutiv i MediaPro, që është njëra ndër partneret për të drejtat televizive të ndeshjeve të La Ligës, mendon se kampionati elitar spanjoll mund të rinis me ndeshje prapa dyerve të mbyllura në korrik.
La Liga është pezulluar përkohësisht për shkak të krizës së shkaktuar nga koronavirusi, që i ka lënë mbi 8400 njerëz të vdekur në Spanjë dhe mbi 42 mijë në të gjithë botën.
Megjithatë, drejtori ekzekutiv i MediaPro, Jaume Roures, shpreson se La Liga do të mundë të rinisë në korrik.
“Shpresoj që futbolli të kthehet në korrik dhe unë po e përmend korrikun pasi që, mes shumë të tjerash, shëndeti i të gjithëve duhet të garantohet”, ka thënë Roures.
“Do të kthehet pa tifozë të pranishëm në stadiume, me siguri. Por, para se të kthehet La Liga, klubet duhet të kenë turne parasezonal. Pas një kohe kaq të gjatë nëpër shtëpi, ata nuk mund të dalin jashtë dhe të luajnë sikur të mos kishte ndodhur asgjë”.
“Nëse rinis La Liga dhe një lojtar del që është pozitiv në testin për koronavirus, atëherë ata do të duhet ta hedhin peshqirin dhe t’i thonë mirupafshim këtij sezoni”.
Barcelona për momentin e mban një epërsi prej dy pikësh ndaj Real Madridit në krye të tabelës së La Ligës.