Janë figura me ndikim të madh në vend, por fuqia që kanë nuk po i ndihmon t’i zgjidhin problemet. Hallet e dertet i kanë detyruar që t’i drejtohen edhe Burdushit.
Në mesin e shumë figurave publike që figurojnë në listat e Burdushit, të cilat i sekuestroi Prokuroria të premten, përmenden edhe emri i Labinot Tahirit, Adelina Berishës e Daut Demakut.
Por, që të tre këta e mohojnë që një gjë të tillë. Disa duke qeshur, e të tjerë me shqetësim.
Deputeti Labinot Tahiri ka thënë se ai nuk e mbanë mend nëse ndonjë familjar i tij ka shkuar ndonjëherë te Burdushi.
Ndërsa, sa i përket deklarimeve të Burdushit se në shenjë falënderimi që i ka zgjidhur problemin, ka kënduar pa pagesë në dasmën e djalit të tij, Labi e ka mohuar një gjë të tillë.
“Spo e di. Nuk e mbaj mend. Kjo që po dëgjoj është absurd. Jo, unë kam marrë pare në dasëm të djalit të Burdushit. Punë për mu është sa jam pagu”, ka thënë Tahiri.
Edhe këngëtarja Adelina Berisha, e ka mohuar një gjë të tillë. Ajo thotë se një gjë e tillë nuk është e vërtetë.
“Jo, nuk ka shanca. Dikush e ka ndoshta zanin si temin, po unë nuk ka shancë. Ju mundeni me i ba problem veti me publiku, por nuk ka shancë. Unë jam fytyrë publike, tash njerëzit folin, por nuk është e vërtetë”, ka thënë Berisha për Express.
Sikurse këta të dy, është përgjigjur edhe shkrimtari Daut Demaku. Madje, Demaku thotë se e di gjithë historinë e kësaj pune, por siç deklaron ai “publikimi i saj nuk i bën nder askujt”.
“…është e pavërtetë e madhe. Mos shko më tutje, tejkaloje. E di historinë e asaj pune, po nuk i bënë nder publikimi i saj as ju as mu. Mos të shkojmë më tutje”, është shprehur Demaku duke qeshur.
Përveç tyre, në listat e Burdushit, që u sekuestruan të premten nga Prokuroria, figurojnë edhe emrat e shumë figurave të tjera me ndikim në vend, për të cilët Express do të raportojë ditëve në vazhdim.
Mirëpo, kjo nuk ishte e tëra. Edhe pse Peqani vazhdonte të insistonte se në shtëpinë e tij nuk gjenden gjurmë të gjërave që mund të konsiderohen të jashtëligjshme, policia gjatë kontrollit gjeti edhe një dosje me shuma të mëdha të parave të dokumentuara që Burdushi i ka marrë për fajde.
Të gjitha këto qenë prova të mjaftueshme që Hysri Peqani të vihet nën pranga. Pas disa orë kontroll, Burdushi u arrestua.
Duke folur për Gazetën Express pas këtij aksioni, Prokurori Petrit Kryeziu tha se shqetësimin për këtë rast e morën nga deklaratat e dhëna në T7.
“Prokuroria Themelore në Prizren pas informatat e marra lidhur me dyshimet për veprën penale shmangie nga tatimi dhe mashtrim për faktin se kemi informata dhe dyshime se personi në fjalë është duke mashtrues qytetarët dhe është duke vepruar pa licencë adekuate siç e she ligji për mjekësinë”, tha Kryeziu.
Por, edhe pse bastisja ndodhi me dyshimet për shmangie tatimi dhe mashtrim, tashmë Peqani po dyshohet edhe për dy vepra tjera penale si armëmbajtje pa leje dhe ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarive mjekësore.
Ndërkohë që të dielën, Gjykata Themelore në Prizren ka aprovuar kërkesën e prokurorisë duke i caktuar kështu Hysri Peqanit një muaj paraburgim.
Burdushi sipas prokurorisë dyshohet për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore, mashtrim, shmangie tatimi dhe mbajtja nën pronësi të paautorizuar të armëve.
Kërkesën për masë të paraburgimit e kishin kundërshtuar avokatët e Burdushit duke thënë se i mbrojturi i tyre po ‘përndiqet pa të drejtë’.