Është larguar përfundimisht nga ekrani, duke mbyllur edhe emisionin e tij të famshëm “Një kafe me Labin”. Megjithatë, ndarja nuk duket të jetë realizuar në mënyrën më të mirë. Madje, shumëkush mund ta quante si ndarjen më të keqe në histori.
Labi ka treguar në “Xing me Ermalin”, se është ndarë me drejtuesit e “RTV 21” vetëm me një mesazh. “Ndoshta nuk ishte e drejtë dhe etike mënyra si u tërhoqa. U ndava me një sms”, tregon moderatori nga Kosova, i cili ka saktësuar se ndonëse raportet i ka të mira me drejtuesit që ka punuar prej 13 vjetësh në të ardhmen dëshirojë që të punojë për veten.
“17 vite punova për televizionin, por në të ardhmen dua të punoj për veten. Do të ketë “Një kafe me Labin” dhe Labi do të jetë sërish në televizion”, ka thënë prezantuesi duke lajmëruar kështu edhe një rikthim të afërt në ekran.
Më tej, Labinot Gashi ka shpjeguar se edhe pse ka punuar në media për 17 vjet me radhë ka ende një shtëpi të vogël, të cilën po e paguan me kredi. “Kam vetëm dy dhoma me kredi, pas 17 vjet pune”, thotë Labi, teksa ka shpjeguar se akuzat se ka marrë ryshfete apo dhurata nga të ftuarit në emisionin e tij janë të pavërteta.