Lahuta, një vegël e njohur muzikore shqiptare, është futur edhe zyrtarisht në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë, UNESCO, njoftoi të martën kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Lahuta është shpallur zyrtarisht pasuri e trashëgimisë kulturore jomateriale në listën e UNESCO-s, për mbrojtje urgjente”, shkroi Rama në Facebook.
Lahuta është instrument prej druri me një tel të vetëm, me një trup të zbrazët të mbuluar me lëkurë dhe një qafë të gdhendur, i cili ndërtohet, luhet dhe shoqërohet me këndim kryesisht në veriun dhe veriperëndimin e Shqipërisë.
Instrumenti punuar me dorë prej druri, dikur kishte tela prej qimesh kali, ndërsa sot shpesh përdor fije najloni. Ajo luhet në rrethin familjar dhe bashkësi, si dhe në raste të veçanta si dasma dhe festa.
“Lahuta kontribuon në ruajtjen e kujtesës së përbashkët dhe vlerave shoqërore. Nëse dikur përqendrohej në legjenda lokale, sot praktika përfshin edhe tregime personale, duke e lejuar traditën të evoluojë. Kjo ndërthurje e së vjetrës me të renë e mban praktikën të rëndësishme dhe të pranishme”, tha UNESCO në njoftimin e saj.
Lahuta është më e fundit në mesin e disa trashëgimive shqiptare të UNESCO i merr zyrtarisht nën mbrojtje.
Dhjetorin e kaluar, UNESCO e mori nën mbrojtje vallëzimin e njohur festiv shqiptar, “K’cimi i Tropojës”, ndërsa më 2022, xhubletën shqiptare, një veshje 4 mijë vjeçare.
Pjesë e listës së pasurive botërore që mbrohen nga UNESCO janë edhe Butrinti, Berati, Gjirokastra, iso-polifonia dhe tradita e shtegtimit të bagëtive apo “Transhumanca”./rel