I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak është takuar me emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, si dhe me kryekëshiltarët diplomatikë nga Gjermania e Franca, Emmanuel Bonne dhe Jens Plötner.
Në këtë takim urgjent është biseduar për hapat e mëtutjeshëm të zbatimit të marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë.
”Konsultime intensive dhe shumë thelbësore me kryekëshilltarët diplomatikë Bonne, Plötner, Talo dhe DAS Escobar. Diskutuam hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe situatën në veri të Kosovës. Faleminderit për mbështetjen e plotë”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Në Veriun e Kosovës situata është e tensionuar, pasi të dielën një grup terrorist vrau policin e Kosovës, Afrim Bunjaku.
Bunjaku është shpallur hero nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndërkaq sulmi brutal i grupit terrorist është dënuar nga bashkësia ndërkombëtare.