Lajçak flet për zgjedhjet në veri: Kurti dhe Vuçiqi e kuptuan sa e rëndë është situata

Prishtinë | 28 Qer 2023 | 15:11 | Nga Ekonomia Online

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, vlerëson se zgjedhjet në katër komunat veriore duhet të mbahen në muajt në vijim.

Lajçak në një intervistë për Euronews Serbia, theksoi se kjo është një nga pikat që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u pajtuan nga takimi i fundit në Bruksel, me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrelin, transmeton Klankosova.tv.

“Sigurisht që zgjedhjet e reja duhet të mbahen në muajt në vijim. Dhe kjo ishte një nga pikat për të cilat Vuçiq dhe Kurti ranë dakord. Është e qartë se kryetarët e bashkive nuk kanë legjitimitetin që duhet të kenë. Kryetar komunash me legjitimitet mund të jenë vetëm ata të zgjedhur nga serbët e Kosovës. Pyetja me të cilën po merremi është se kur dhe si do të arrijmë atje. Dhe sigurisht, që serbët të kenë motivimin për t’u ndjerë të sigurt dhe se kemi zgjedhje të lira”, u shpreh Lajçak.

I dërguari i BE-së, për takimin e të enjtes së kaluar theksoi se ishte vetëm për menaxhimin e krizës që është krijuar në veri të Kosovës.

Ai shtoi se Kurti dhe Vuçiqi e kanë kuptuar se sa e rëndë është situata, dhe kjo sipas tij, është gjëja pozitive nga ky takim.

“Ai takim të enjten e kaluar në Bruksel ishte një takim për menaxhimin e krizës. Pra, nuk ishte një takim kushtuar normalizimit, dialogut, fatkeqësisht. Gjëja pozitive është se edhe Vuçiq edhe Kurti e kuptuan se sa e rëndë është situata. Askush nuk e fsheh këtë dhe nuk pretendon se nuk kemi krizë serioze në veri. Dhe së dyti, ata ranë dakord se një nga elementët kryesorë të daljes nga kriza janë zgjedhjet e reja. Aty ku ata nuk u pajtuan ishte çështja e de-përshkallëzimit. Si do të funksionojnë këta kryetarë dhe nga ku”, shtoi ai.

Të ngjashme