Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak, i ka shkruar letër liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit, për ta uruar këtë të fundit për marrjen e pozitës së shefit të Qeverisë së Kosovës.
Lajçak në letrën e tij ka theksuar se është i gatshëm për të vazhduar dialogun pa vonesa, derisa thotë se do t’i mbështesë Kosovën dhe Serbinë në rrugën drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
“I nderuar Kryeministër,
Dua t’ju uroj për emërimin tuaj si Kryeministër i Kosovës dhe ju dëshiroj shumë suksese në këtë post të ri. Jam i bindur që udhëheqësia juaj dhe përvoja juaj e gjatë politike do t’i shtojnë vlerë institucioneve në Kosovë. Në cilësinë time si Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, shpresoj të punojmë së bashku drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në letrën e Lajcak.
“Unë zotohem vendosmërisht që do t’i mbështes të dy palët për t’i vazhduar pa vonesa takimet në kuadër të Dialogut me Beogradin, të lehtësuar nga BE-ja”, thekson në letër emisari sllovak.
Në fund, Lajcak thotë se mezi pret që ta takojë Kurtin në Bruksel, derisa thotë se takimi do të realizohet sapo të krijohen kushtet.
“Vazhdimi i Dialogut do të na mundësojë të bëjmë progres i cili do të sjellë dobi për të dy palët në vitet që vijnë. Mezi pres të ju takoj në Bruksel, posa situata të na lejojë, dhe të diskutojmë personalisht për punën tonë të përbashkët që na pret. Me respekt”.