I Dërguari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, ka folur pas dështimit të arritjes së marrëveshjes për targa.
Lajcak i ka ftuar kryenegociatorët që të takohen sërish për të arritur marrëveshje dhe për të vazhduar diskutimet për çështje tjera. Ai po ashtu ka kërkuar nga palët që të përmbahen nga veprime që mund të cenojnë sigurinë.
“Sot nuk është arritur asnjë marrëveshje për targat. I ftoj krye negociatorët të takohen sërish në ditët në vijim për të rënë dakord mbi rrugën përpara dhe për të vazhduar diskutimet për çështje të tjera aktuale. Ne presim që të gjithë aktorët të përmbahen nga veprimet, të cilat mund të rrezikojnë sigurinë në terren”, ka thënë ai në Twitter.
Ndryshe, Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka zhvilluar takim trilateral me homologun serb Petar Petkoviq dhe Emisarin Miroslav Lajcak por që s’është nënshkruar asnjë marrëveshje përfundimtare për targat.
Sipas zëvendëskryeministrit Bislimi, pala serbe s’ka prezantuar preferencën e saj në grupet punuese dhe s’kanë pranuar që detyra për një zgjidhje të çështjes së targave të bartet te kryenegociatorët dhe të gjendet zgjidhje për 30 ditët e ardhshme, raporton Gazeta Express.
“Pala serbe nuk i është përmbajta marrëveshjes së palëve, pala jonë që në takimin e parë e ka zgjedhë preferencën e vet, pala serbe ka refuzua të përcaktojë preferencën e saj. Rrjedhimisht nuk kemi mundur të prezantojmë një zgjidhje sot. Prapë ne me kërkesë të zotit Lajcak kemi ofrua një konsension shtesë që për 30 ditë detyra nga grupi punues të bartet te krye negociatorët që bashkë ta gjejmë një zgjidhje por pala serbe nuk ka pranuar”, ka thënë Bislimi në një prononcim për gazetarët në Bruksel.