Lajçak pas takimit me Kurtin: Mund të kemi vetëm normalizim ose konfrontim

Prishtinë | 11 Maj 2023 | 09:21 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, tha se kanë diskutuar për hapet e mëtejshëm në dialog. Ai tregoi se do ta vizitojë sot edhe veriun e Mitrovicës dhe më pas do të udhëtojë për në Beograd.

“Erdha në Prishtinë sot për të diskurtar me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi për rrugën përpara në procesin e normalizimit pas takimit të 2 majit. Është e rëndësishme që e kuptojmë qartë sekuencën e hapave në vazhdim. Patëm një diskutim të rëndësishëm në të gjitha aspektet. Unë do të kem të njëjtat diskutime nesër në Beograd”, tha Lajçak, për gazetarët.

“Ne kemi Marrëveshjen, kemi Aneksin, ndaj duhet të kemi një kuptim të qartë të hapit të parë, hapit të dytë dhe hapit të tretë. Kështu që ky ishte qëllimi që kishim siç thashë një diskutim shumë intensiv por shumë i rëndësishëm dhe i dobishëm me kryeministrin”.

Ai bëri të ditur se do të shkojë në veri të Kosovës, pasi dëshiron të shohë nga afër situatën atje.

“Me të vërtetë shpresoj se do të ketë një zgjidhje politike që do të na lejojë të gjithëve të fokusohemi në normalizimin dhe zbatimin e marrëveshjes”, u shpreh ai.

I pyetur për modelin kroat për Asociacionin, të cilin e ka propozuar Qeveria e Kosovës, Lajçak u shpreh se ajo që është e pranueshme për Bashkimin Evropian është diçka që “bazohet në normat evropiane dhe vlerat evropiane, e cila është në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”.

“E kemi thënë që në fillim. Nuk do të them më shumë për këtë. Unë mendoj se jam mjaft i qartë”, u shpreh ai.

“Ne mund të kemi vetëm normalizim ose konfrontim dhe duam të fokusohemi tërësisht në normalizim, ndaj duam të shmangim çdo përshkallëzim, që nuk është në interesin e askujt”, u shpreh ndërmjetësi sllovak.

Lajçak bëri të ditur se do të takohet me kryenegociatorët e dy shteteve në dialog, përkatësisht me Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin të hënën më 15 maj.

“Do të vazhdojë diskutimet në Beograd. Më falni jam shumë vonë”, tha Lajçak, duke mos pranuar të gjitha pyetjet e gazetarëve.

Në anën tjetër, kryeministri Kurti përmes një postimi në rrjetin social Twitter tha se në takim me zotin Lajçak ka nënvizuar rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes Bazë të arritur në Ohër me Serbinë.

“Theksova nevojën që Marrëveshja Bazë të zbatohet në tërësi dhe nevojën që BE-ja ta mbajë Serbinë përgjegjëse për shkeljet e vazhdueshme të kësaj Marrëveshjeje”, shkroi ai.

Të ngjashme