Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, do të zhvillojnë nesër, e hënë, një drekë pune me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.
Takimin e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, por ai nuk ka dhënë shumë detaje.
“Nesër, kryeministri Kurti bashkë me zëvendëskryeministrin Bislimi priten të zhvillojnë një drekë pune me emisarin Lajçak”, ka thënë Kryeziu për RTV Dukagjini.
Lajçak pritet ta vizitojë Kosovën, më 6 shkurt, dge më pas pritet ta vazhdojë vizitën në Serbi.
As këtë herë nuk janë bërë të ditura hollësitë e vizitës, vetëm se ai do të diskutojë me bashkëbiseduesit për hapat e ardhshëm të dialogut, sidomos për avancimin rreth propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes palëve, por edhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut.
Lajçak e ka vizituar Kosovën 10 ditë më parë, kur ka zhvilluar një darkë pune me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe kryenegociatorin e Kosovës në dialog me Serbinë, Besnik Bislimi.
Kohëve të fundit, zyrtarë të ndryshëm të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe kryediplomatin e BE-së, Josep Borell, kanë përshëndetur publikisht qëndrimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për propozimin e BE-së.
Këtë plan të BE-së e përkrahin plotësisht edhe Shtetet e Bashkuara, andaj Kosova dhe Serbia janë ftuar disa herë që jenë konstruktive në qasjen ndaj këtij propozimi.