Tash na nevojitet vendimi i nivelit politik, ka thënë emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kur ka deklaruar në Prishtinë se në kuadër të dialogut janë “edhe disa dokumente të tjera në faza të finalizuara”, raporton Ekonomia Online.
Në konferencën në fund të vizitës treditëshe, Lajçaku ka vlerësuar lartë marrëveshjen e arritur për udhërrëfyesin mbi marrëveshjet e mëhershme për energjinë në veri. Teksa ka folur edhe për diskutimet e gjata për marrëveshjen për targat, Lajçaku ka paralajmëruar marrëveshje të reja. Ka thënë se “duhet të vlerësojmë secilën marrëveshje që është arritur e të mos kritikojmë vetëm ato që nuk janë arritur”.
I pyetur për deklaratën se Kosova e Serbia s’mund të bëhen pjesë e BE-së pa e njohur njëra-tjetrën, Lajçaku ka thënë se “kjo është arsyeja pse nevojiten takime të rregullta që të përkufizohet se çfarë nënkupton normalizimi i plotë i marrëdhënieve dhe si të arrihet”.
Sipas tij, deklaratat e palëve që të përkufizojnë synimet në fillim të procesit s’duhet të mbidramatizohen.
Në fund ka përsëritur shpresën që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të takohen së shpejti e që takimi të jetë produktiv.
Po ashtu ai ka thënë se mandati i është zgjatur për dy vjet.
Lajçaku për Asociacionin: Për atë që ka pasur pajtim, duhet të ketë zbatim
Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është zotim të cilin e ka pranuar Kosova dhe se për këtë duhet që ajo të zbatohet.
Sipas tij, Asociacioni s’është kërkesë e Brukselit, por “diçka që janë pajtuar Kosova me Serbinë”.
“Është zotimi të cilin e ka pranuar Kosova, përfshirë këtu ratifikimin në Kuvend. Për këtë arsye ka një parim të mirënjohur që thotë se për atë që është pajtuar duhet të zbatohet. Kjo nuk është diçka që Brukseli e kërkon por që janë pajtuar Kosova me Serbinë”, ka thënë ai.
Lajçaku kërkon takim Kurti-Vuçiq para pushimeve
Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka shprehur kërkesën për një takim në nivel të lartë para pushimeve të verës në Bruksel.
Në fund të vizitës në Kosovë, Lajçaku ka thënë se po punohet për takimin mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë.
“Do të dëshiroja që kjo të ndodhë para pushimeve verore në Bruksel”, ka thënë ai në konferencën në fund të vizitës.
E ka cilësuar shumë të rëndësishëm unitetin politik në vend për dialogun. Ka vlerësuar lartë edhe nënshkrimin e udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjes për energjinë në veri.
Ka shtuar se pas konferencës do të vizitojë pikat kufitare para se të shkojë në Beograd.