Lajm fantastik nga QKUK: Dy pacientë me Coronavirus janë gati të shërohen

Prishtinë | 25 Mar 2020 | 20:08 | Nga Ekonomia Online

Lajme të mira nga vijnë nga Klinika Infektive e QKUK’së. Aty dy pacientë të cilët kishin rezultuar Pozitiv me Covid-19, apo siç njihet ndryshe coronavirus, janë duke shkuar drejtë shërimit.

Testet e dyta që u janë bërë këtyre dy personave kanë rezultuar Negative. Njëri nga pacientët i cili në testin e dytë ka rezultuar negativ me Covid-19 është djali i 82-vjeçarit i cili ndërroi jetën javën e kaluar pas infektimit me koronavirus. Express iu sjellë detaje të reja nga Infektiva e QKUK’së.

Në Kosovë deri më tani janë shënuar 71 raste me koronavirus, njëri nga ta ka vdekur. Por krahas këtyre 71 personave që tashmë janë konfirmuar si të prekur me Covid-19, ka të atillë të cilët janë duke ia dal shumë mirë me gjithë procesin e rikuperimit shëndetësor dhe janë duke u shëruar nga coronavirusi.

Bëhet fjalë për së paku dy pacientë të konfirmuar me Covid-19 të cilët janë duke shkuar drejtë shërimit. Këto detaje i dha infektologu i QKUK’së, Salih Ahmeti.

Ai ka deklaruar se procesi i shërimit është duke shkuar shumë mirë dhe se mjekët janë shumë entusiast që në javën e ardhshme këta dy pacientë do të lirohen nga spitali si të shëruar nga kosonavirusi.

“Gjendja e tyre për momentin është shumë stabile. Ne jemi duke e bërë të pamundurën që ata të dalin nga spitali si të shëruar. Tek një pjesë e mirë e pacientëve ia kemi arritur që rikuperimin ta çojmë përpara”, thotë Ahmeti për Express.

Ai tutje deklaron se pacienti i parë që ka rezultuar negativ në testin e dytë është djali i 82-vjecarit nga Podujeva i cili vdiq javën që e lamë pas si pasojë e infektimit me Covid-19.

“Unë po i pres edhe rezultatet e tjera. Djali i personit që vdiq nga Podujeva nga koronavirusi, në testin e dytë ka dalë negativ. Po e presim edhe testin e ri konfirmimit. Gjatë javës së ardhme pritet që ti kemi pacientët e parë që të jenë të shëruar”, ka deklaruar për Express Ahmeti.

E ndërkohë për këtë lajm sot ka folur edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

 “Sot nga këto mostra tetë (8) prej prej tyre kanë rezultuar pozitive. Në ndërkohë kemi rezultatin e parë NEGATIV të njërit nga pacientët me CODID 19 pozitiv. Nevojitet edhe testi kontrollues dhe me shpresë që do të kemi pacientin e parë të shëruar me COVID 19 në Kosovë”, ka thënë Vitia.

Ai sërish ka apeluar qytetarët që t’i përcjellin rekomandimet e dhëna nga instituti.

“Vazhdon puna përgjatë 24 orëve në MSH, IKSHP dhe Klinikën Infektive. T’i ndihmojmë personelit shëndetësor”, ka shkruar ai në Facebook.

Kujtojmë se deri më tani, janë konfirmuar 71 persona si të prekur me Covid-19.

Të ngjashme