Kosova këtë vit mund të dështojë edhe në procesin e liberalizimit të vizave, regjim i cili sipas krerëve institucionalë kosovarë është thënë se do të merrte fund këtë vit.
Por, si duket liberalizimi i vizave për Kosovën, nuk do të jetë si pikë e rendit të ditës në takimin e muajit të ardhshëm të ministrave të shteteve anëtare të Bashkimit Europian.
”Vendet anëtare të Bashkimit Europian nuk kanë gjasa ta vendosin muajin e ardhshëm, në rend dite propozimin e Komisionit Europian për t’i dhënë fund regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, është thënë nga burime diplomatike brenda Bashkimit Europian në Bruksel, njofton Klan Kosova.
Në korrik të këtij viti Komisioni Europian kishte propozuar vendeve anëtare të Bashkimit Europian që Kosovës këtë vit t’i hiqet regjimi i vizave pasi sipas raporteve vendi thuhet se i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara.
Ky propozim i Këshillit Europian ishte përkrahur edhe nga Parlamenti Europian në muajin shtator, por tani duket se brenda shtëpisë së madhe europiane janë shfaqur dilema në lidhje me qëndrimin e tyre.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli pati thënë se qytetarët e Kosovës, fundi i vitit 2018-të mund t’i gjejë duke festuar edhe jashtë vendit pasi liberalizimi sipas tij parashihej të ndodhte këtë vit.
Se cili do të jetë fati i Kosovës edhe në çështjen e liberalizimit të vizave, mbetet të shihet, krejt kjo pasi edhe BE u shfaq skeptike ditë më parë se mund të arrihej një vendim i tillë këtë vit. Dyshimi rritet dhe më shumë pasi Kosova dështoi edhe në procesin e anëtarësimit me të drejta të plota në agjencinë ndërkombëtare INTERPOL, njofton Klan Kosova.