Liga elitare e futbollit në Zvicër ka bërë të ditur se do ta rinisë kampionatin më 19 qershor, duke e gëzuar kështu kampin e ekipit kombëtar të Kosovës, pasi që lojtarë si Hekuran Kryeziu, Benjamin Kololli, Idriz Voca, Mirlind Kryeziu dhe Edon Zhegrova do të kenë mundësi të kthehen në fushën e lojës para ndeshjeve vendimtare të Kosovës për Evropian.
Liga Profesioniste e Futbollit në Zvicër (SFL) është bërë e fundit që ka vendosur ta rinisë kampionatin 2019/20, pasi që 20 klubet anëtarë votuan të premten në favor të rinisjes pas pauzës së detyruar që nga marsi shkaku i koronavirusit, transmeton Gazeta Express.
SFL bëri të ditur se dy kategoritë elitare të futbollit në Zvicër – Super League e nivelit të parë dhe Challenge League e nivelit të dytë – do të rinisin më 19 qershor dhe do të përfundohen deri më 2 gusht, ndërsa të gjitha ndeshjet do të zhvillohen prapa dyerve të mbyllura.
Pasi që deri në fund të kampionatit kanë mbetur edhe 13 xhiro, ligat zvicerane do të kthehen me ndeshje në fundjavë dhe mesjavë, përderisa ekipet do të kenë të drejtë ta lehtësojnë barrën mbi lojtarët përmes pesë zëvendësimeve për ndeshje.
SFL ka thënë se secili klub pati të drejtë ta dërgojë nga një përfaqësues në takimin e së premtes, i cili u zhvillua në pajtueshmëri me masat e ndërmarra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Për më tepër, në deklaratën e lëshuar pas takimit, aty klubet e refuzuan propozimin për ta rritur Super League-n nga 10 në 12 skuadra për sezonin e ardhshëm, 2020/21.