Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Bajram Gecaj ka kritikuar, kryetarin e kuvendit Kadri Veseli, pas raportimit të Insajderit se ky i fundit ka shkelur ligjin për pirjen e duhanit.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Gecaj ka shkruar se ligjet nuk vlejnë për të fortët.
“Kryetari i PDK-së shkel Ligjin për Duhanin, tymos në një lokal, “Natyrisht”, ligjet nuk vlejnë për “të fortët”…ky shkel ligjin e duhanit e Kryeministri na thotë se është në rregull shtënia me armë…e këto janë vetëm copëza të shkeljeve të tyre!”, ka shkruar Gecaj.
Insajderi ka raportuar sot se kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, që mban ndër pozitat më të larta në Republikën e Kosovës, atë të kryetarit të Kuvendit, ka shkelur ligjin për pirjen e duhanit.
Në një fotografi e cila është publikuar në rrjetin social Facebook, që mban emrin “Simpatizantët e PDK-së”, Veseli, shihet me një cigare të ndezur në dorë.