Lama: Kriza politike ia ka dëmtuar rëndë imazhin Kosovës, duhet të rikuperohen raportet me SHBA-në

Prishtinë | 25 Tet 2026 | 08:00 | Nga Gzim Mujaj

Ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama, ka vlerësuar se kriza politike dyvjeçare ka dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, ndërsa ka theksuar se pas konsolidimit të institucioneve nevojitet një angazhim i ri diplomatik, veçanërisht për rikuperimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Lama ka thënë se Kosova duhet t’i përshtatë politikat e saj me rrethanat e ndryshuara gjeopolitike dhe të mos mbështetet vetëm në deklarata për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, pa siguruar përkrahjen e nevojshme nga aleatët.

“Së pari, mendoj që dy vite të krizës politike kanë ndikuar jashtëzakonisht negativisht në shumë plane, si në planin e funksionimit të brendshëm të institucioneve, por edhe të diplomacisë. Përkundrazi, pavarësisht se s’ka pasur veprime, vetë fakti që ka pasur një krizë të vazhdueshme politike në Kosovë e kanë dëmtuar shumë rëndë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, tha ajo.

Lama ka vlerësuar se Kosova ka mundësi të angazhohet për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por ka theksuar se për këtë nevojitet vullnet politik dhe përmbushja e kritereve të vendosura.

“Pavarësisht nga kjo, tani ka mundësi, domethënë ekziston mundësia, po duhet edhe vullneti politik që Kosova së paku të angazhohet për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Mendoj që ky do të ishte një objektiv i mundshëm, por sigurisht që duhet të plotësohen ato kritere të cilat i janë vënë Kosovës. Në rast se duan që të hiqen ato kritere që lidhet me çështjen e dërgimit të projekt-statutit në Gjykatën Kushtetuese, gjë që unë nuk mendoj që është dramatike të dërgohet, aty do të kontrollohet nëse është apo jo në përputhje me Kushtetutën – mund të lobohet, do të duhet të lobohej tek ato vende që e kanë vënë si kusht”, tha ajo.

Sipas Lamës, zhvillimet ndërkombëtare, përfshirë luftën në Ukrainë dhe tensionet e shkaktuara nga Rusia, kanë ndryshuar prioritetet e shteteve evropiane, duke e bërë më të vështirë tërheqjen e vëmendjes ndaj kërkesave të Kosovës.

“Problemi është që e tërë Evropa tani është në krizë të rëndë politike, ekonomike, krizë të sigurisë për shkak të luftës në Ukrainë dhe provokimeve të vazhdueshme që i bën Rusia, saqë kam frikë se nuk ka shumë vesh për t’i dëgjuar kërkesat e Kosovës. Dhe Kosova duhet ta lexojë mirë, domethënë, edhe situatën në arenën ndërkombëtare për sa i përket kësaj çështjeje, sepse kanë ndryshuar rrethanat gjeopolitike, ndërkohë që Kosova ka vazhduar të sillet me një lloj luksi të tepruar, sikur të gjithë do ta lusin, por është plotësisht e kundërta”, tha ajo.

Ajo ka thënë se mungesa e vëmendjes nga Bashkimi Evropian, por veçanërisht nga SHBA-ja, mund të dëmtojë interesat e Kosovës, duke vlerësuar se kjo lidhet edhe me mënyrën se si kanë vepruar institucionet e vendit.

“Mjafton mungesa e vëmendjes, si nga ana e vendeve të Bashkimit Evropian, po veçanërisht nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që Kosova dhe interesat e saj të dëmtohen. Aktualisht e kemi këtë mungesë të vëmendjes, për hir të së vërtetës, dhe këtu kam përshtypjen, përveç faktorëve të jashtëm, më shumë lidhet me vetë sjelljen e institucioneve të Kosovës”, tha ajo.

Lama ka theksuar se pas konsolidimit të institucioneve duhet të ketë një angazhim më të madh diplomatik, duke nënvizuar rolin e presidentes dhe të kryeministrit në forcimin e raporteve me aleatët.

“Tani që janë konsoliduar institucionet, mendoj që diplomacia duhet të angazhohet, presidentja do të duhet ta luajë rolin e saj ndoshta për të rikuperuar disa raporte, por mos të harrojmë se fuqinë në Kosovë e ka kryeministri. Është ai pra që i drejton politikat, dhe nëpërmjet politikave që ai bën ose qëndrimeve që ai mban, mund t’i dëmtojë ose t’i forcojë raportet. Ka nevojë tani aktualisht për një vrull diplomatik, për mendimin tim, sidomos në raport me ShBA-në”, tha ajo.

Duke komentuar synimet e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, përfshirë UNESCO-n, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, Lama ka thënë se këto procese nuk mund të përparojnë pa përkrahjen e SHBA-së.

“Tani unë e dëgjova ministrin, që tha se do të kërkojë anëtarësim në UNESCO. Kanë kërkuar anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Domethënë, është shumë e lehtë të kërkosh. Për sa i përket UNESCO-s, Kosova njëherë ka aplikuar dhe ka dështuar. Asnjë anëtarësim i Kosovës në këto organizata shumë të rëndësishme dhe të mëdha ndërkombëtare nuk mund të bëhet pa përkrahjen e ShBA-së”, tha ajo.

Ajo ka kërkuar që Kosova t’i japë përparësi përmirësimit të raporteve me Uashingtonin, para se të synojë mbështetjen për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“Prandaj problemet nuk duhet të kapen nga bishti, por nga koka. Fillimisht të rregullohen raportet me ShBA-në. Ne kemi një kryeministër që shkoi në ShBA dhe nuk arriti të takojë asnjë person ose diplomat ose përfaqësues të Departamentit të Shtetit. Si mund të lobosh ti në rast se nuk e ke këtë përkrahje për të marrë votën e vendeve të cilat nuk e njohin Kosovën? Se po e marrim si të mirëqenë votën pro të vendeve që e njohin Kosovën – e kam fjalën këtu për UNESCO. Për NATO nuk ka ndonjë ndryshim, po kështu edhe për Bashkimin Evropian, për shkak të pesëshës”, tha ajo.

Lama ka theksuar se Kosovës i duhet një diplomaci më aktive dhe më pak deklarata që, sipas saj, synojnë kryesisht publikun e brendshëm.

“Kështu që, domethënë, duhet të hiqet dorë nga politika e deklaratave për publikun e brendshëm, por të forcohet me të vërtetë diplomacia e Kosovës, për aq sa mundet, për aq sa varet nga Kosova”, tha ajo.

Sa i përket ndikimit të mundshëm të dënimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në arenën ndërkombëtare, Lama ka vlerësuar se vendimi nuk duhet të interpretohet si gjykim ndaj popullit të Kosovës apo luftës për liri.

Ajo ka theksuar se procesi nuk ka përfunduar dhe se çështja mund të shqyrtohet në Gjykatën e Apelit.

“Unë nuk mendoj që do të ndikojë, sepse edhe në vetë vendimin është bërë e qartë që këtu nuk gjykohet as populli i Kosovës, as lufta për liri, por gjykohet individi dhe çështja është që është në proces. Domethënë nuk ka përfunduar. Nesër në Gjykatën e Apelit, domethënë nëse nuk ka fakte, ata mund të lirohen”, tha ajo.

Ajo ka shtuar se Serbia mund ta përdorë vendimin në fushatën e saj kundër Kosovës, por se kjo nuk duhet të përbëjë arsye për shqetësim lidhur me statusin ndërkombëtar të vendit.

“Kështu që nuk mendoj se shtetet demokratike do ta ndëshkojnë Kosovën pse janë dënuar ata, dhe kushdo që e bën këtë lidhje e bën gabim. E sigurisht që Serbia me propagandën e saj do të përpiqet vazhdimisht që të njollosë Kosovën, ta përdorë si argument për të mos lejuar anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare. Kjo nuk është ndonjë risi, e kanë përdorur edhe vetë akuzat kur kanë ekzistuar, pra pa një proces gjyqësor. Kështu që nuk ka arsye për t’u trembur Kosova në lidhje me këtë. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, dhe kjo nuk i cënohet nga asnjë lloj gjykimi”, tha ajo.

Të ngjashme