Lammy: Qeveria e re, e rëndësishme në këto momente të vështira

Prishtinë | 02 Pri 2025 | 10:05 | Nga Gzim Mujaj

Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, tha në Prishtinë se shpreson që në Kosovë partitë politike të angazhohen për të ndërtuar një qeveri të re. Ai në konferencë të përbashkët për media me presidenten Vjosa Osmani, tha se qeveria e re është e rëndësishme në këto momente të vështira, raporton Ekonomia Online.

“Unë e mirëpres përparimin e madh që keni bërë në avancimin tuaj në shkurt dhe shpresoj që ne këtu në Kosovë të angazhohemi për të ndërtuar një qeveri të re, e cila është e rëndësishme në këto momente të vështira. Pra, nuk jam kthyer vetëm si mik, por jam kthyer me një ndjenjë shumë të fortë se Mbretëria e Bashkuar vazhdon të luajë rolin e saj të rëndësishëm si partner dhe mik i ngushtë i këtij vendi. Ka gjëra që duam t’i shohim teksa ky partneritet zhvillohet. Ne duam normalizim të plotë për ju këtu në Kosovë, ndërmjet Kosovës dhe sigurisht, Serbisë. Mbretëria e Bashkuar ka një interes të theksuar për KFOR-in. E kam parë KFOR-in herën e fundit që isha këtu. Do ta shoh përsëri dhe është i rëndësishëm, është jashtëzakonisht i rëndësishëm për sigurinë tuaj”, tha sekretari i Jashtëm britanik Lammy.

“Të kemi dialog dhe përparim, që funksionon për njerëzit e Kosovës dhe Serbisë”

Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, tha se shpreson që qeveria e ardhshme të trajtojë të gjitha nevojat e qytetarëve, duke përfshirë përparimin në zbatimin e Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Ohrit dhe duke u angazhuar fuqimisht në rrugën drejt sigurisë së plotë në BE.

“Jam shumë i lumtur që isha me Këshillin e Punëve të Jashtme të BE-së dy vjet më parë në Bruksel për të diskutuar për Ballkanin Perëndimor dhe për të diskutuar për Kosovën në rrugëtimin e saj dhe pres me padurim të punoj me partnerët tanë të BE-së përsëri tani, duke luajtur rolin tonë të plotë me BE-në, duke siguruar që të kemi atë dialog, por edhe përparim, një përparim që funksionon për njerëzit e Kosovës dhe Serbisë”, tha tha sekretari Lammy.

Ai shtroi nevojën për më shumë punë të përbashkët që mund të bëjmë në lidhje me çështjen e krimit të organizuar.

“Këto rrjete të krimit të organizuar dëmtojnë stabilitetin, minojnë rajonin dhe kërcënojnë sigurinë tonë të përbashkët. Ne kemi thënë se duhet të intensifikojmë mbështetjen tonë për të luftuar këtë, dhe ne po punojmë në këtë drejtim me ju”, tha sekretari Lammy./Ekonomia Online/

Të ngjashme