Lamtumirë, Ismet Bellova – zëri emblemë isportit shqiptar

Prishtinë | 22 Dhj 2025 | 20:15 | Nga Arif Ejupi

Dashuria për gazetarinë sportive më lindi qysh si fëmijë i klasës së pestë fillore. Me shpirt i adhuroja
skuadrat e futbollit KF Prishtina dhe KF Trepça, atëherë anëtare me reputacion të jashtëzakonshëm në
Ligën e Dytë dhe të Parë të ish-Jugosllavisë.

Meqenëse isha ende i vogël për të qenë i pranishëm në stadiumet e Prishtinës dhe Mitrovicës, të dielat
pasdite i kalonim ndryshe. Së bashku me vërsnikët e mi –Fadilin, Jasharin, Nexhipin, Isakun, Ejupin,
Selmanin, Bahriun, Agimin, Hakiun, Safetin, Nezirin, Fejzullahun, Nysretin, Bajramin, e më vonë
edhe Esadin, i cili ishte 11 vjet më i ri se ne, mblidheshim në Bregun e Sumullarit, rreth një radioje
“Grundig”, të sjellë nga një i afërm yni nga Austria.

Aty dëgjonim transmetimet e ndeshjeve të Prishtinës dhe Trepçës nga reporterët tanë specialë Veli
Vraniqi, Azem Brovina dhe Fatmir Bujupi. Me zërin dhe përshkrimet e tyre të sakta, ata na krijonin
ndjesinë sikur të ishim vetë në stadium.

Edhe pse sinjali shpesh vinte me pengesa, emocionet nuk mungonin. Dëgjonim edhe Radio Tiranën,
ku përmes reporterëve të saj të rregullt – Ismet Bellova, Ahmet Shqarri dhe Skifter Këlliqi, shijonim
atmosferën e stadiumeve të shtetit tonë amë, Shqipërisë.

Veçmas na impresiononte Ismet Bellova, i cili me të folmen e tij të rrjedhshme, fjalorin e pasur dhe
përdorimin e termave të mirëfilltë sportive në gjuhën shqipe, na bënte për vete, pa e kuptuar, që në
njëfarë mënyre na edukonte. Pikërisht aty, mes valëve të radios, lindi dashuria ime e qëndrueshme për
gazetarinë sportive.

Përtej kontributit të tij të jashtëzakonshëm në gazetarinë e folur sportive, Ismet Bellova, ka lënë
gjurmë të rëndësishme edhe në publicistikën sportive të shkruar.

Veprimtaria e tij dëshmon një angazhim të qëndrueshëm për sistematizimin e dijes sportive dhe
pasurimin e terminologjisë profesionale në gjuhën shqipe.

Ai është autor dhe bashkautor i disa botimeve me karakter referencial, ndër të cilat veçohen: Portierë
të mëdhenj, Visare të Sportit shqiptar (bashkautor), Fjalori i termave sportive, si dhe Kupa kampionëve
të Evropës (bashkautor).

Këto vepra e konsolidojnë figurën e tij jo vetëm si zë autoritar të mikrofonit , por edhe si kontribuues
të rëndësishëm në ndërtimin e kulturës sportive dhe gjuhës standarde shqipe.
Gjatë viteve ’70 dhe ’80, në Kategorinë e Parë të futbollit shqiptar garonin këto 14 skuadra:

  • 17 Nëntori – Tiranë
  • Besa – Kavajë
  • Besëlidhja – Lezhë
  • Dinamo – Tiranë
  • Flamurtari – Vlorë
  • Labinoti – Elbasan
  • Lokomotiva – Durrës
  • Luftëtari – Gjirokastër
  • Naftëtari – Qyteti Stalin
  • Partizani – Tiranë
  • Skënderbeu – Korçë
  • Tomori – Berat
  • Traktori – Lushnjë
  • Vllaznia – Shkodër
    Këta rreshta janë homazh për reporterin e mirënjohur shqiptar Ismet Bellova, i cili me zërin, kulturën
    dhe profesionalizmin e tij edukoi breza të tërë dashamirësh të futbollit.
    Ai u nda nga jeta më 20 dhjetor 2025, por vepra dhe emri i tij do të mbeten përherë të gjalla në
    kujtesën tonë kolektive.
    Nderim për zërin që na mësoi ta jetojmë futbollin edhe pa e parë, por vetëm duke e ndier përmes
    valëve të Radio Tiranës.

Të ngjashme