Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka lanësuar sot skemën e granteve të përputhshme në kuadër të “Projektit të Konkurrueshmërisë dhe Gatishmërisë për Eksport” me financim përmes kredisë së butë nga Banka Botërore.
Në lanësimin e kësaj skeme, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, ka thënë se përmes “Projektit të Konkurrueshmërisë dhe Gatishmërisë për Eksport” në vlerë prej 14.3 milionë euro me financim përmes kredisë së butë nga Banka Botërore, synon të mbështesë ndërmarrjet vendore.
“Gjithsejtë nga kjo shumë prej 14.3 milionë euro, janë ndarë afër 10 milionë euro për përkrahje ndaj bizneseve, të ri negociuara me Bankën Botërore, pikërisht në kohën kur u shfaq pandemia në mars të vitit 2020, kur ne si Qeveri Kurti 1, kishim vështirësi me mundësi financiare të kufizuara financiare për t’iu përgjigjur sektorit privat. Prandaj këtë kredi të butë e kemi ri negociuar me Bankën Botërore, që të sjellim grante në shumën 10 milionë euro pikërisht për ndërmarrjet tona”, ka theksuar ministrja.
Ministrja Hajdari ka bërë të ditur se këto grante kanë synim rritjen e konkurrueshmërisë dhe aftësisë eksportuese duke përmirësuar kualitetin e produkteve të bizneseve dhe efikasitetin në prodhim, përpunim dhe shërbim.
“Ne tani po e lanësojmë programin e granteve të përputhshme dhe ky program është një në nën kompetentet e projektit për konkurrueshmëri dhe gatishmëri për eksport, të financuar përmes kredisë së butë nga Banka Botërore. Objektivi kryesor është t’i mbështesë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme me potencial për eksport që t’i përmbushim kërkesat për zbatimin e standardeve dhe certifikimin e produkteve të kërkuara për tregjet e eksportit, të blejnë po ashtu pajisje, makineri të prodhimit, për të rritur aftësitë për gatishmëri për eksport, si dhe të blejnë pajisje që përdorën për trupat e vlerësimit të konformitetit”, u shpreh ministrja Hajdari.
Sipas saj, ky grant poashtu synon të përkrahë qasjen në zhvillimet e shërbimit të biznesit në trajnime, si dhe të përkrahë në pajisje të vogla për përmirësim digjital.
“Çka është e rëndësisë të përmendi, që do të financohet, është të lehtësojmë qasjen në njohuri për fushat kritike për t’iu përgjigjur pandemisë siç janë: përmirësimi i aftësisë për tregti elektronike. Pra, granti ka qëllim mbështetjen e bizneseve në digjitalizim, në implementimin e standardeve dhe rezultat në certifikimin e produkteve me standarde relevante”, potencoi ministrja Hajdari.
Ndërsa, Blerta Qerimi, përfaqësuese e Bankës Botërore dhe menaxhere e projektit, ka thënë se ky projekt ka rëndësi në gatishmërinë e kompanive për eksport. Ajo tha se qëllimi i grantit është përmirësimi i mjedisit për të bërit biznes dhe njëkohësisht mbështetja që do t’u bëhet me grante ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme.