Zyra e UNICEF-it në Kosovë ka lansuar aplikacionin për telefon “Shnet”, i cili ka për qëllim të informojë rininë mbi edukimin seksual, shëndetin riprodhues dhe informacione të tjera relevante në lidhje me tema të ngjashme, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, vlerësoi se ky aplikacion është zgjidhje e jashtëzakonshme për të parandaluar sëmundjet seksualisht të transmetushme siç është HIV-i.
“Jemi këtu të testojmë dy gjera. Është të shohim që teknologjia po përdoret për të mirë. Ne jemi të zotuar që të përmirësojmë shëndetin e adoleshentëve. Askush s’do që fëmijët e tyre të kenë sëmundjet seksuale si HIV-i. Askush nuk dëshiron që vajzat të lindin para moshës 18-vjeçare. Ky aplikacion është një zgjidhje e jashtëzakonshme” .
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Rrustem Musa, vlerësoi se edukimi i tillë ndikon në zvogëlimin e sëmundjeve seksuale.
“Të rinjtë ballafaqohen me së sfidash, një nga to është edhe mungesa e informacioneve që prekin shëndetin e tyre. Një edukim i tillë ndikon në zvogëlimin e sëmundjeve seksualisht të transmetushme. Edukimi i mirëfilltë shpie te një rini e shëndoshë dhe kontribuon në ngritjen e kapacitetit të shoqërisë. Ministra është duke ndërmarrë hapa në përmirësimin e nivelit të shërbimeve shëndetësore”.
Visare Mujko – Nimani, përfaqësuese e UNFPA-së, tha se kanë orientuat forcat e tyre për të edukuar të rinjtë në fushën e edukimit seksual.
Ajo njoftoi se së shpejti do të prezantohet edhe një aplikacion tjetër i ngjashëm, derisa bëri të ditur se bashkë me ministrinë e Arsimit janë duke hartuar udhërrëfyes rreth edukimit seksual, të cilët do t’u shpërndahen nxënësve nëpër shkolla.
“Me MAShT-in jemi duke përgatitur udhërrëfyesit për edukim seksual nëpër shkolla. Bashkë me UNICEF-in dhe organizata të tjera ne rajon kemi zhvilluar aplikacionin ‘Luventa’ qe së shpejti do te prezantohet për edukimin seksual dhe sistemin riprodhues. Informatat do të jepen përmes një kuisi. Shpresoj qe këto aplikacione të ndihmojnë që të kemi një rini të shëndetshme”.
Aplikacioni mund të përdoret në dy sistemet e telefonave të mençur, Android dhe IOS.
Tri vajza zhvilluan këtë aplikacion në punëtorinë UPSHIFT, në kuadër të “Unicef Innovation Lab Kosovo”.
Njëra nga to, Eurisa Rukovci, gjatë prezantimit të aplikacionit, tha se me aktivitetet e tyre po duan të promovojnë më tepër edukimin seksual dhe psiko-social te të rinjtë.
“Kemi menduar që mënyra më mirë për të arritur tek më shumë të rijnë është përmes teknologjisë edhe për arsye e kemi pa të rëndësishme që ky aplikacione të përdoret në smartfonet tuaj në dy sisteme IOS, dhe Android”.
Në të ardhmen, aplikacionit do t’i shtohet edhe kalendari menstrual dhe “Chat Bot”-i, në të cilin mund të merren informacione për sistemin riprodhues, raporton EO.
Përmes këtij aplikacioni, përdoruesit do të kenë mundësi të rrisin më tutje njohuritë e tyre në lidhje me edukatën seksuale dhe çështje që lidhen me këtë temë.