Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Reçica me rastin e lansimit të fushatës “Siguria dhe shëndeti në punë mbi të gjitha”, ka vizituar kompanitë e ndërtimit “Agro Trade” dhe “Dreni” ShPK.
Reçica tha se ky projekt ka të bëjë me sigurinë dhe shëndetin e punonjësve në vendin e punës, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se ministria ka për qëllim të mbroj punëtorin në vendin e punës dhe të iu kushtohet më shumë rëndësi këtyre të fundit përderisa janë duke punuar.
Sipas tij, ministria që drejton me këtë veprim po përmbush kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian (BE).
“Si ministri ne dje filluam në zbatimin në praktikë të një projekti që ka të bëjë më punësimin e atyre qytetarëve që gëzojnë asistencë sociale dhe sot po vazhdojmë me një promovim me një fushatë tjetër që ka të bëjë më sigurinë dhe shëndetin e punonjësve në vendin e punës”.
“Siguria, shëndeti dhe marrëdhënia e rregullt në punë janë standarde që duhet respektuar prandaj ne si ministri për zbatimin e këtyre standardeve kemi nxjerrë në harmoni edhe me direktivat e BE-së një sërë rregulloresh të cilat kanë të bëjnë me sigurinë dhe shëndetin e punonjësve në vendin e punës”, tha Reçica.
Reçica tha se prioriteti kryesor i ministrisë është siguria dhe shëndeti i punonjësve në vendin e punës.
“Me lansimin e kësaj fushate iu bëj thirrje të gjitha bizneseve, të gjithë punëdhënësve, të gjithë punëmarrësve që të kenë parasysh direktivat dhe aktet nënligjore të cilat i kemi nxjerrë të cilat kanë të bëjnë me sigurinë dhe shëndetin në punë”, shtoi Reçica.
Ai i ftoi të gjithë punëmarrësit që t’i kushtojnë më shumë rëndësi sigurisë dhe shëndetit të punëtorëve.