Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në bashkëpunim me UNDP-në dhe Ambasadën finlandeze kanë lansuar programin për mbështetjen e punëkërkuesve, përkatësisht Agjencinë e Punësimit, e cila është një platformë online që do të jetë në shërbim të punëkërkuesve dhe punëdhënësve
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në detyrë, Arban Abrashi, tha se kjo ngjarje ka të bëjë me Agjencinë e Punësimit, e cila e bënë më të lehtë punësimin, raporton Ekonomia Online.
“Ne kemi punuar paralelisht në zhvillimin e masave aktive të tregut të punës, të cilat kanë treguar që ka mundësi për punësim në shumë sektorë. Është bërë një punë e madhe për dy vjet që ka rezultuar me 25 mijë vende pune”, tha Abrashi.
Ai shtoi se Agjencia do të ketë një rol të madh dhe do të ketë një qasje më të sigurt karshi kësaj sfide.
“Nuk dyshoj fare në këtë platformë, e di që do të ketë sukses…”, u shpreh Abrashi.
Përfaqësuesja e UNDP-së, Marta Gazideta, tha se ky proces i lansimit të Agjencisë është një rezultat i punës shumëvjeçare.
“Gjatë kësaj kohe përkrahja është dhënë në shumë sektorë që prej hartimit të ligjit. Ideja për krijimin e kësaj platforme online lidhet me atë se në Kosovë kemi një rini që në aspektin e teknologjisë është shumë e avancuar dhe kjo mënyrë u ofron atyre një qasje më të lehtë në tregun e punës. Bashkë me ministrin Abrashi kemi arritur rezultate të shkëlqyeshme”, tha ajo.
“Interesi i përbashkët ka qenë të ndihmohet rinia e Kosovës, të gjejnë punë dhe përmes kësaj platforme të zbutet papunësia”, shtoi ajo.
Ritva Naumanen shefe e misionit të Ambasadës së Finlandës në Kosovë, tha se shërbimet e punësimit janë pjesë e një ekonomie stabile.
“Popullata e re e Kosovës ka një potencial të madh në shërbimet e punësimit, implementimin e politikave të punësimit. Falënderoj Ministrinë e Punës… për hapat që ka marrë në modernizimin e shërbimeve të punësimit”, tha ajo.
Agjencia e Punësimit është krijuar me Ligjin për Agjencinë e Punësimit, e cila është e pavarur në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.