Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ka lansuar Platformën e Vizualizimit të të dhënave të Pulsit Publik, raporton Ekonomia Online.
Platforma e Pulsit Publik sipas përfaqësuesve të UNDP-së ofron vizualizimin e të dhënave të mbledhura që nga viti 2010 kur edhe u lansua Pulsi Publik.
Menaxheri i Programit, Arben Qirezi, tha se kjo platformë do të ndihmojë në mbledhjen e të dhënave në mënyrë vizuale.
“Projekti Pulsi Publik ka 3 aktivitete që përmbushë misionin për të rritur dialogun ndërmjet qytetarëve. Ajo çka jemi mbledhë sot është platforma e të dhënave. Kjo platformë do të ndihmojë në mbledhjen e të dhënave në mënyrë vizuale”, tha Qirezi.
Përfaqësuesja e Përhershme e sapo emëruar e UNDP-së, Maria Suokko, tha se pronësia e kësaj platforme do t’i ipet ASK-së, e cila do të jetë e dobishme edhe për politikbërësit.
“Ne besojmë që kjo platformë do jetë e dobishme për ju në atë se si njerëzit i perceptojnë çështjet kyçe të zhvillimit në Kosovë. Ky viziualizues tregon disa trende interesante gjatë vitesh. Sa i përket ekonomisë kjo Platformë ka lëvizë indeksin në aspektin pozitiv. Pronësia e kësaj platformë do t’i ipet ASK-së dhe ne besojmë se këto të dhëna do jenë shumë të dobishme për politikbërësit”, tha ajo, raporton EO.
Kryeshefi i i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Isa Krasniqi, tha se me këtë platformë do të përfitojë ASK-ja, por gjithashtu edhe përdoruesi. Ai njoftoi se kjo platformë do përdoret edhe në regjistrimin e popullsisë e cila do bëhet në 2021.
“ASK do të bashkëpunojnë çdo herë me UNDP-në e sidomos tash me krijimin e kësaj platforme sepse shfrytëzimi i të dhënave për mes viziualizimit do jetë i dobishëm shumë edhe për institucionet e Kosovës. Në bartjen e bashkëpunimeve ne kemi një bashkëpunim të mirë me organizatat e OKB-së në Kosovë. Të dhënat përmes platformës vizuale do jenë shumë më të çasshme për përdoruesit. Me këtë platformë do të përfitojë ASK-ja, por gjithashtu edhe përdoruesi. Këtë platformë do e përdorim edhe në regjistrimin e popullsisë që do bëhet në vitin 2021. Jam i lumtur që edhe UNDP është pjesë e këtij grupi të rëndësishëm qe ne t’i prodhojmë këta indikatorë”, tha Krasniqi.
Ndërsa Alisa Hasani, prezantuese e projektit nga UNDP, tha se të dhënat në këtë platformë, janë të kategorizuara në gjini, moshë e etni.
“Të dhënat e viziualizuara këtu përmbajnë të dhënat që nga viti 2010. Përmes kësaj platforme të gjithë do e kenë mundësinë t’i marrin të dhënat që nga viti 2010. Një sasi e madhe e të dhënave janë të vuziualizura, të cilat fillojnë me pyetjet e renditura sipas rëndësisë. Të dhënat janë të kategorizuara në gjini, etnitet dhe moshë”, tha ajo, raporton EO.
Platforma do të shërbejë si bazë e hapur e të dhënave ku palët e interesuara mund të përdorin të gjitha të dhënat që janë në dispozicion.