Lansohet platforma Rezervimi.com, synon ta promovojë Kosovën si vend turistik

Prishtinë | 15 Gus 2017 | 11:41 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është lansuar platforma për akomodime dhe rezervime online Rezervimi.com, një produkt që synon të ndihmojë në promovimin e turizmit në Kosovë.

Projekti është realizuar nga kompania PR Solutions, ndërsa përkrahur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë, përmes projektit PPSE që implementohet nga Swisscontact, raporton Ekonomia Online.

Drejtoresha e Swisscontact për Kosovë, Argjentina Grazhdani, tha se kanë zgjedhur për të përkrahur një sektor që është shumë inovativ i cili premton vende të reja të punës si dhe promovon Kosovën si një vend turistik.

“Sipas të dhënave të ASK-së në Kosovë çdo vit numri i mysafirëve në Kosovë është duke u rritur për 13 për qind. Gjithashtu sipas të dhënave të partnerëve tanë në terren, numri i turistëve nga viti i kaluar është rritur për 50 për qind dhe për këtë arsye ne kemi zgjedhur një sektor që është shumë inovativ dhe premton vende të reja punë si dhe do të promovojë Kosovën si vend turistik”.

“Shpresojmë që ky produkt të ndihmojë në promovimin e turizmit në Kosovë”, tha ajo.

Ekrem Tahiri, drejtor i kompanisë PR Solutions , gjatë prezantimit të platformës Rezervime.com, tha se në vend ka mungesë të të dhënave rreth kapaciteteve turistike ose ato janë të shpërndara.

Andaj, përmes kësaj platforme synohet që të plotësohet ky hendek ku përveç rezervime do të ketë informata mbi turizmin vendor si dhe shërbime të tjera në funksion të turistëve.

“Kjo është një platformë që ka synim digjitalizimin e shërbimeve në Kosovë si dhe të promovohet turizmi në Kosovë në një mënyrë më të lehtë. Promovimi dhe mundësia për t’u qasur në informata është relativisht i vogël dhe i shpërndarë. Dhe përmes kësaj platforme do të përpiqemi të mbushim këtë hendek duke ofruar të dhëna të përgjithshme në një platformë të vetme”.

Aktualisht mundësohen rezervimet, por së shpejti do të ofrohet edhe mundësia e pagesave. “Në të ardhmen do të ofrojmë edhe bileta online për fluturime koncerte dhe aktivitet të ndryshme që ndodhin në vendin tonë”, shpjegoi Tahiri.

Kjo platformë përveç rezervimeve të hoteleve ofron edhe informata mbi turizmin vendor.

Tani për tani, platforma është e shtrirë vetëm në Kosovë, ndërsa nga viti i ardhshëm pritet të shtrihet edhe më gjerë.

  

Të ngjashme