Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) kanë promovuar lansimin e portalit për tregti “Udhëzuesi i Tregtisë Ndërkombëtare”, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Odës Ekonomike (OEK), Berat Rukiqi, tha se përmes kësaj platforme kompanitë do të marrin informacionet e nevojshme.
“Sot informacioni ka vlerën kryesore tek bizneset, transparenca e informacionit është esenciale në çdo aktivitet që kalojmë dhe ne bashkë me partnerët e kemi avancuar një platformë që ka qenë ekzistuese, por në nivel më të rëndësishëm”.
“Shpesh herë kompanitë ndër problemet kryesore e kanë qartësinë me informatat e të bërit biznes. Kjo platformë ofron informacion deri në detaje për procesin e eksportit e importit”.
“Është krijuar një bazë e mirë që mund të shfrytëzohet edhe nga mekanizmat e tjerë”.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala tha se kjo ueb faqe është e para e llojit të saj në Ballkanin Perëndimor dhe si e tillë do të ofrojë informacione të rëndësishme për bizneset.
“Kjo ueb faqe do të ofroj informacione të shumta për shërbimet që u mundëson shfrytëzuesve që nga themelimi i biznesit e deri tek informatat për realizimin e importit e eksportit. Kjo është ueb faqja e parë në të gjitha vendet që janë pjesë e CEFTA-s”.
“Kjo tregon për gatishmërinë e Kosovës për rritjen e transparencës. Së shpejt do të lansohet edhe Qendra për rregullimin e informacioneve për lehtësira tregtare”.
“Ky promovim bashkë me Odën tregon për bashkëpunimin e shkëlqyer që me Odën. Ky portal është i pari në llojin e tij në Ballkanin Perëndimor”, tha ai.
Brian Martalus nga USAID-i tha se kjo platformë ofron detaje të rëndësishme për procedurat që ndiqen nga kompanitë në pjesën e të bërit biznes.
“Prosperiteti ekonomik në një vend është shumë i rëndësishëm. Ky lansim i kësaj ueb-faqe përfshinë informata të rëndësishme për kompanitë ku njofton për procedurat e eksportit importit e shumë procese të tjera”.
“Kjo ndihmon kompanitë kosovarë të jenë më konkurruese edhe në tregun ndërkombëtar”, tha ai.
Drejtori i Doganës, Bahri Hyseni tha se kjo krijon lehtësi në raportin e të berit biznes, raporton EO.
“Kjo platformë mundëson që bizneset të kenë qasje për të gjitha procedurat që zhvillohen. Ne shpesh jemi ballafaquar me kërkesa të tilla se cilat janë procedurat dhe anët ligjore”.
“Ne kemi filluar që të gjitha të dhënat që bëhen me tregti mund t’i gjejnë në ueb-faqen e Doganës. Dogana ka arrit me i digjitalizua shumicën e shërbimeve”.
Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezi tha se kjo është platformë që i ka munguar bizneseve për lehtësim të tregtisë.
“Unë e pash që ka nevojë për plotësime, kjo kërkon edhe angazhim të të gjithë neve që komuniteti i biznesit në kohë reale ti ketë të gjitha informatat”.
“Unë zotohem do të jemi të gatshëm ta ndihmojë këtë platformë”, tha ai.