Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka lansuar Programin e BE-së për Çështje të Brendshme në Kosovë, i cili synon forcimin e kapaciteteve të Kosovës në luftimin e krimit të organizuar, avancimin e reformave dhe konsolidimin e sundimit të ligjit, duke pasur parasysh perspektivën evropiane, raporton Ekonomia Online.
Programi ka për qëllim edhe rritjen e kapaciteteve hetimore dhe operacionale të Kosovës, duke ndihmuar Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), Policinë dhe Akademinë e Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit, përmirësimin e sigurisë kibernetike dhe shkencës ligjore, si dhe menaxhimit të kufijve dhe migrimit.
Programi parashihet të zgjasë 40 muaj, nga 2023 deri në 2025, teksa financimi total i BE-së kap vlerën prej 6.5 milionë eurosh.
Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla tha se projekti do të kontribuojë në fuqizimin e ministrisë që ai drejton dhe organeve përkatëse të saj, e njëkohësisht edhe në integrimin e Kosovës ne Evropë.
“Ky është një projekt qe ka potencialin qe të kontribuoje në fuqizimin e çështjeve tona të brendshme, në përmirësimin e përformancës së Ministrisë së Punëve te Brendshme dhe agjencive të saj”.
Ai falënderoi Ministritë e Brendshme të Francës dhe Italisë, për implementimin e projektit si dhe Bashkimin Evropian për “fondet e tyre bujare dhe mbështetjen e vazhdueshme”.
“Ky projekt është një hap para ne rrugën tone për t’u përafruar me BE-në dhe rritjen e sigurisë publike dhe sigurisë në Kosovë. Projekti do të na ndihmojë ne draftimin e legjislacioneve dhe politikave ne koordinim me standardet dhe praktikat evropiane. Do ta ndihmojë në racionalizimin e organizatës tonë dhe strukturat raportuese si dhe ne përmirësimin e planifikimit dhe menaxhmentit”, tha Sveçla.
Tutje, ai tha se implementimi nga Franca, Italia dhe Belgjika është i mirëseardhur për Kosovën sidomos për shkak të ekspertizës që vendet kanë në luftën kundër krimit.
“Fuqizimi i kapaciteteve te MPB-së, departamenteve të saj dhe agjencive do të na ndihmojë për t’u ballafaquar me krimin e organizuar, korrupsionin, terrorizmin, kontrabandën dhe imigrimet. Implementimi nga Franca, Italia dhe Belgjika do të kontribuojë me ekspertizën e tyre dhe jemi të lumtur që kemi partnerë kaq të çmuar”.
Ndërsa, ambasadori Italian në Kosovë, Antonello De Riu, u shpreh konfident se udhëheqja italiane është një vlerë e shtuar në këtë projekt, teksa tha se Italia është e përkushtuar që ta ndihmojë Kosovën në luftën kundër krimit dhe integrimin e saj në BE.
“Në dy dekadat e fundit, Italia ka qenë shumë aktive ne Ballkanin Perëndimor, duke i ndihmuar forcat e policisë lokale t’i përgjigjen krimit të organizuar. Jam konfident që udhëheqja italiane në këtë projekt do të jetë një vlerë e shtuar ne program”.
“Lufta kundër krimit të organizuar është komplekse dhe shumë dimensionale. Italia është e vendosur qe ta ndihmojë Kosovën në këtë luftë, duke promovuar edhe integrimin e vendit në Bashkimin Evropian”.
Ai, tutje përmendi edhe disa bashkëpunime të suksesshme ndërmjet policive të të dyja vendeve si dhe shprehu mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Interpol.
“Marrëveshjet bilaterale mes Kosovës dhe Italisë, për rritjen e kapaciteteve operacionale të Policisë së Kosovës, përmes projekteve të BE-së, si ky por edhe shumë të tjerë, ka bërë të mundur operacione briliante të policisë, siç është rasti i konfiskimit të 400 kg kokainë nga Amerika e Jugut ne Lipjan, ku transit ishte Italia”.
“Italia ka mbështetur edhe nënshkrimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Europolit, së bashku me kandidatutën për t’u bashkuar ne Interpol”, tha ai.
E ambasadori francez në Kosovë, Oliver Guerot, tha se programi dëshmon përpjekjet e përbashkëta të vendeve evropiane për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi e për Kosovën në veçanti.
“Ky program dëshmon rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta në të mirën e Kosovës, por edhe në tonën për shkak te lidhjes së Kosovës ne Ballkanin Perëndimor dhe Evropën”.
“Në 2019 Franca ka implementuar një strategji të re për Ballkanin Perëndimor, për rritjen e mbështetjes dhe investimeve në ketë rajon. Ky program tregon edhe gatishmërinë tonë për të kontribuar në programet evropiane te dizajnuara për rritjen e kapaciteteve të MPB-së në Kosovë”.
Sipas Guerot, programi do të luajë një rol të rëndësishëm edhe në intergrimin e Kosovës në BE.
“Ky program do ta luajë një rol të rëndësishëm edhe në intergrimin e Kosovës në BE. Franca po ofron mbështetjen e saj për Kosovën në disa fusha dhe sot biseduam për fusha të tjera të mundshme për bashkëpunim”.
Pas fjalimeve, lideri i ekipit punues, Vincenyo Tagliaferri, ka prezantuar faktet kyçe të projektit, për të cilin tha se do ta mbështesë MPB-në dhe Prokurorinë Speciale në zbatimin e masave të identifikuara në Strategjinë e Sundimit të Ligjit dhe në raportet e progresit të BE-së
“Projekti është një veprim për ngritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve në mbështetje të MPB-së së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale (PS), në zbatimin e masave të identifikuara në Strategjinë e Sundimit të Ligjit dhe në raportet e progresit të BE-së, si dhe në gjetjet e misioneve vlerësuese të BE-së”.
Tutje, Tagliaferri ka bërë të ditur se projekti ka dy komponentë, teksa përmendi edhe aktivitetet kryesore të tij.
“Komponenti i parë është i fokusuar në përkrahjen strategjike dhe institucionale të MPB-së. Ndërsa, komponenti i dytë ka të bëjë me forcimin e kapaciteteve hetimore dhe operacionale”.
“Aktivtietet kryesore janë trajnimi dhe mentorimi, ofrimi i këshillave strategjike dhe ligjore, mbështetje institucionale dhe legjislative, mbështetje në hetimet aktuale, monitorimi i rastit”.