Lansohet programi i trajnimit dhe punësimit të 100 të rinjve në Prizren, bashkëpunim i Komunës, Help Kosova e Makerspace Innovation

Prishtinë | 07 Kor 2023 | 14:00 | Nga Ekonomia Online

Prizren, 6 korrik 2023 – Lansohet programi i shumëpritur për të rinj “PowerUp: Digital Career” një bashkëpunim i Komunës së Prizrenit dhe organizatës Help Kosovo që implementohet nga Makerspace Innovation Center Prizren.

Në hapje të ceremonisë ku ishin të pranishëm shumë të rinj, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj tha se përfshirja e komunës që udhëheq ishte e domosdoshme duke parë mundësitë që ofron ky program për të rinjtë dhe të rejat prizrenase në fushën e dizajnit grafik dhe programimit.

“Është shumë mirë që shoh kaq shumë të rinj të interesuar në këto çështjet e dizajnit grafik dhe të programimit, por është edhe më mirë kur kemi potenciale dhe kemi individë, të cilët përmes trajnimeve ju mundësojnë të rinjve dhe të rejave të cilët shprehin interesim për të arritur një nivel të caktuar të profesionalizmit në fazën fillestare. Pastaj, më vonë të mund të ngrisin nivelin e profesionalizmit. Komuna natyrisht se nuk ka pasë se si të mos e përkrahim, sepse ky projekt ju ofron mundësi e trajnime për aftësi dhe shkathtësi. Programi do të shkojë në katër faza si selektimi, trajnimi, puna praktike dhe puna praktike në kompani” tha Totaj.

Nga ana tjetër, udhëheqësi i Makserspace Innovation Center Prizren që do ta implementoj këtë projekt, Enis Qafëleshi ka thënë se objektivi i programit është i qartë: punësimi i të rinjve dhe të rejave të Komunës së Prizrenit në dy sfera: Në  atë të Dizajnit Grafik dhe të Programimit

“Siç e dini këto dy komponentë, janë komponentë shumë të rëndësishme të zhvillimit ekonomik në IT në përgjithësi dhe Prizreni është një ndër qytetet më të spikatura për talentin në këto dy fusha, të cilës për momentin i mungon një punësim adekuat dhe një njoftim i mirë me treguan adekuat. Duke e ditur se në IT në përgjithësi ka mundësi të shumta punësimi, vetëpunësimi, ose si freelancers, ne si Makerspace kujdesemi që të rinjve dhe të rejave me ide inovative gjithashtu t’i mundësojmë edhe përkrahje për t’i nisë bizneset e tyre të reja.”, ka thënë Qafëleshi

Në lansimin e programit u prezantuam detajet dhe pëfitimet që i sjellë programi, ku njëkohësisht u shpall e hapur thirrja për aplikim në këtë program.  

Ky program, si më i madhi për të rinj në Prizren dhe më gjerë, synon trajnimin gjithëpërfshirës të 100 të rinjve në fushën profesionale të përzgjedhur, duke i mbështetur me resurse si: hapësira pune individuale për secilin përfitues, mentorim profesional për përfituesit nga ekspertë të kompanive partnere dhe përcjellja e suksesit të përfituesve. Qëllimi final mbetet punësimi i tyre. 

Thirrja për aplikim në këtë program është e hapur! Ftohen të rinjtë të aplikohen përmes këtij linku http://poëerup.makerspaceprizren.com/

 Afati i fundit për aplikim: 04.08.2023.

Të ngjashme