Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, ka deklaruar se projekti “Avancimi i arsimit të bazuar në vlera përmes reformës së politikës dhe praktikës së zhvillimit të mësimdhënësve në Kosovë (VleraED)”, do të përmbush zhvillimin profesional të edukimit, raporton Ekonomia Online.
Gjatë lansimit të këtij projekti, Nagavci i sheh të pashmangshme sfidat por që premton bashkëpunim të ngushtë.
“Pas një pune të gjatë me kontribute nga MAShT-i po nisim një nisme te re. Fakti që bashkëpunëtorë në këtë projekt kemi bashkëpunim me vendet mike, është një dëshmi mbi bazën e fort që ky projekt ka themeluar perspektivën e tij dhe do shkoj mbarë. Projekti është i natyrës strukturore dhe sfidat janë të pashmangshme. Roli i MAShT-it është i domosdoshëm, kërkon kujdes dhe vëmendje në bashkëpunim të ngushtë. Ne jemi të hapur në hapat që duhet marrë për realizimin e synimit të përbashkët të rezultojë me sukses”, u shpreh Nagavci.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi tha se ky projekt është shumë i rëndësishëm për Universitetin e Prishtinës. Ai tha se qëllimi i këtij projekti është tregues për kapacitetet që UP-ja synon t’i zgjerojë.
“Projekti është një tregues për kapacitetet që ne kemi dhe synojmë ta zgjerojmë tutje. Një vlerë që ky projekt ka është se ka qëllim ngritjen e kapaciteteve institucionale, infrastrukturore dhe ka për qëllim të ndikojë në vlerat e Edukimit. Synimi jonë është të rimodelojmë vlerat shoqërore për krijimin e një qytetarie shoqërore. Një komponentë tjetër që doja ta veçoja është se ne e vlerësojmë shumë bashkëpunimin me MAShT-in dhe bashkëpunimet tona do të jenë më të qëndrueshme. Ne kemi edhe partnerin për këtë projekt nga Universiteti i Prizrenit, këto suksese me projekte tjera janë të suksesshme kur janë gjithëpërfshirëse. Ky projekt dhe tjerat janë projekte për bashkëpunim për të avancuar kontributin tonë institucional”, u shpreh Qerimi.
Projekti synon të lehtësojë një reformë në zhvillimin profesional të mësimdhënësve për të reflektuar edukimin e bazuar në vlera dhe për të promovuar arsimin gjithëpërfshirës, barazinë, mosdiskriminimin dhe kompetencat qytetare në të gjitha nivelet e arsimit, duke përmirësuar programet e përgatitjes së mësimdhënësve dhe zhvillimin e vazhdueshëm profesional në mënyrë që të ndikojë në cilësinë afatgjatë të sistemit arsimor duke forcuar paralelisht mbështetjen e praktikave të drejtpërdrejta të bazuara në shkollë për të promovuar zhvillimin e kompetencës së qytetarisë së përgjegjshme.
Në këtë konferencë lansuese të projektit, koordinatori dhe partnerët e projektit prezantuan planet e aktivitetit për reformën në e politikave, nivelin e përgatitjes së mësimdhënësve dhe nivelin e ndërhyrjes në shkollë.