Lansohet Shkolla Finlandeze në Kosovë

Prishtinë | 21 Qer 2017 | 19:08 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shkolla Finlandeze është lansuar sot në Kosovë. Kjo shkollë vjen me staf ndërkombëtar, finlandez, dhe me program të fokusuar në kreativitet, zgjidhje të problemeve dhe mësim përmes lojërave.

Programi ofrohet për ciklet parashkollor, fillor dhe të mesëm, raporton EkonomiaOnline.

Për dallim nga sistemi aktual i edukimit, përpos lëndëve bazë, sistemi finlandez do t’u mundësojë nxënësve të programojnë dhe të mësojnë robotikën që nga mosha trevjeçare.

Teknologjia është gurthemel i sistemit të Shkollës Finlandeze në Kosovë, duke iu mundësuar nxënësve aftësimin dhe mësimnxënien përmes lojërave dhe teknologjisë.

Gjithashtu fëmijët angazhohen në aktivitete dhe klube brenda shkollës që përfshijnë artin (muzikë, pikturë, këndim, aktrim), sportin, punë dore, mësime nga kuzhina dhe socializim përmes aktiviteteve në ambiente të hapura.

Alejtin Berisha, themelues i Shkollës Finlandeze, tha se për çdo prind i cili dëshiron kualitetin më të lartë të edukimit për fëmijët e tij, “Shkolla Finlandeze e Kosovës” ofron një ekosistem që i rritë fëmijët duke nxjerrë më të mirën nga ta, për të rritur kreativitetin e tyre, dhe duke ofruar mundësinë që ata të socializohen, raporton EO.

Hapësira në kampus, aktivitetet si dhe veçanërisht mini-qyteti përbrenda kampusit “HELPRI CITY” mundësojnë mësimin praktik të njohurive udhëheqëse, menaxhuese dhe nxitsin shpirtin krijues të fëmijëve, u tha në ceremoninë e hapjes.

Kaija-Leena Salovaara, drejtoreshë e Shkollës Finlandeze në Kosovë, me përvojë 14-vjeçare si profesoreshë, dhe si drejtoreshë në institucione arsimore kredibile finlandeze theksoi nevojën e menjëhershme të transformimit të sistemit të edukimit në Kosovë.

Ndër të tjera, ajo theksoi nevojën për një shkollë ku fëmijët janë në fokus dhe ku mësimi është kënaqësi. “Shkolla Finlandeze i vendos fëmijët në qendër të vëmendjes dhe duke i kuptuar nevojat e tyre ajo formon kurikulat dhe plan-programet. Fëmijët janë të shmangur nga streset dhe ata mësojnë në çdo kohë gjatë qëndrimit në kampus, madje edhe kur luajnë”.

Pertti Reponen, drejtor ekzekutiv në TeacherGaming.com, njëherit përgjegjës për zhvillimin e lojërave që fëmijët do t’i përdorin gjatë procesit mësimor në Shkollën Finlandeze, shpalosi detajet se si po krijohet shkolla më e avansuar me teknologji në Ballkan.

Lojërat si pjesë e mësimnxënies mundësojnë që fëmijët të mësojnë njohuritë bazë përderisa ata luajnë.

“Sistemi i lojërave të kontrolluara nga prindërit dhe mësimdhënësit iu mundëson gjithashtu monitorimin e performances së fëmijëve”, tha Reponen.

Shkolla Finlandeze e Kosovës ofron kampusin e parë të dizajnuar për t’i integruar mjedisin shoqëror, artin dhe teknologjinë së bashku.

Çdo kat i kampusit ka hapësirë të destinuar, ku nxënësit kanë mundësi të kalojnë kohën duke u socializuar dhe duke u relaksuar me bashkëmoshatarët e tyre. “Mësimi në kampusin tonë ndodh kudo; në klasë, në laboratore, koridore dhe në oborr. Mbi të gjitha në Shkollën Finlandeze mësimi është kënaqësi për fëmijët”, theksoi Reponen.

Shkolla Finlandeze do të pranojë nxënësit nga shtatori i vitit të ardhshëm.

 

Të ngjashme