Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, zbuloi emrat e disa klubeve të mëdha evropiane, që sipas tij, janë të gatshme t’i bashkohen Superligës Evropiane.
Barça, së bashku me Real Madridin, nisën një projekt të Superligës në vitin 2021, i cili u shemb shpejt pas tërheqjes së klubeve.
Në dhjetor, Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian tha se organet drejtuese të futbollit botëror dhe evropian, FIFA dhe UEFA, kishin shkelur ligjin e konkurrencës duke bllokuar krijimin e ligës në fjalë.
Kësisoj, gjigantët spanjollë tani po vazhdojnë përpjekjet e tyre për të nisur Superligën.
Laporta ditën e sotme deklaroi se sezoni i parë i kësaj lige mund të nisë vitin e ardhshëm.
Ai gjithashtu përmendi klubet që janë të gatshme t’i bashkohen këtij projekti.
“Përveç Barçës dhe Madridit do të ishin edhe italianët: Interi, Milani, Napoli dhe Roma”, tha Laporta, kur u pyet për gatishmerinë e klubeve në “RAC 1”.
“Gjithashtu edhe skuadrat franceze si Olympique de Marseille, dhe portugezët; Sporting, Benfica dhe Porto, të cilët do të ishin të lumtur të vinin. Dhe këtu janë holandezët (Ajax, Feyenoord dhe PSV), dhe Bruges e Anderlecht nga Belgjika. Një garë prej 16 skuadrash do të ishte më mirë”, deklaroi i pari i “Blaugranëve”./GE