Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Pietro Barbano, është deklaruar pas takimit të zhvilluar mes Komandantit të KFOR-it Angelo Michele Ristuccia dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Në një postim në profilin e tij në Twitter, ai shkruan se ditët në vijim presin sërish takime për të kryer vlerësime të përbashkëta.
“Në ditët në vijim presim takime teknike vijuese me Policinë e Kosovës për të kryer vlerësime të përbashkëta dyjavore të sigurisë ndërmjet Policisë së Kosovës dhe #EULEX-it dhe – sipas rastit – me #KFOR-in”.
KFOR-i njoftoi se në takim u diskutuan gjerësisht masat e deeskalimit “që do të zbatohen në afat të shkurtër nga institucionet në Kosovë”.
Sipas KFOR, takimi ishte pozitiv dhe konstruktiv dhe “do të pasohet nga takime të mëtejshme periodike si në nivel teknik dhe ekzekutiv”.
Ndërsa, Policia e Kosovës pohoi se çështjet të cilat u diskutuan kishin të bëjnë me situatën e sigurisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës përfshirë edhe zhvillimet e fundit në veri të vendit.
Në takim u vlerësua me interes të përbashkët bashkëpunimi dhe koordinimi në kuadër të detyrave dhe përgjegjësive përkatëse, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, si qëllim i përbashkët.
Sipas marrëveshjes së Bratisllavës ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Europian për deeskalimin në Veri palët janë marrë vesh që tërheqja e policisë nga ndërtesat e katër komunave në Veri dhe përreth tyre do të bëhet me një vlerësim të përbashkët Polici, EULEX, KFOR. Deri më tani vetëm 25 përqind e tyre janë tërhequr.