Policia e Kosovës i ka larguar gjashtë familje nga rreth 130 sa janë në një bllok në lagjen ‘’Dardania’’, të cilat sipas gjykatës i takojnë Ndërmarrjes Publike Banesore në Prishtinë.
Largimi nga këto ndërtesa, po refuzohet nga banorët, të cilët janë përleshur me forcat e sigurisë.
Pasi kanë asistuar largimin e orendive nga gjashtë banesa, forcat policore tashmë kanë filluar të largohen.
Vendimi i lirimit të pronës së uzurpuar me vendim të prerë nga Gjykata ishte vetëm për gjashtë banesa. Por, pritet që vendime të ngjashme të merren edhe për rastet e tjera.
Përleshje mes policisë e familjeve “uzurpuese”, ka të lënduar
Foto: Ekonomia Online
Në tentim për të liruar 130 banesa që i takojnë Ndërmarrjes Publike Banesore në Prishtinë, Policia e Kosovës është përleshur me banorët.
Gjatë përleshjes janë lënduar banorë që refuzonin të lironin banesat e tyre, por ka edhe policë të lënduar.
Për të realizuar aksionin e lirimit të banesave, policia ka përdorur edhe gaz lotsjellës, ndërsa banorët kanë kundërshtuar me mjete të forta, si gurë e shishe xhami.
Në vend të ngjarjes kanë dalë dhe ambulanca.
Ky objekt ishte ndërtuar në vitet 1990-të dhe ishte dedikuar për refugjatët serbë nga Bosnja. Pas përfundimit të luftës, në banesat ende të papërfunduar janë vendosur rreth 130 familje.
Gjykata ka vendosur që nga sot banesat t’i lirohen Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), si pronare.
Banorët thonë se nuk kanë ku tjetër të shkojnë. Ata kërkojnë një marrëveshje nga Komuna dhe NPB që t’ua shesë ato, me çmime dhe kushte të përballueshme, pasi që kanë investuar vetë.
B. D. ka treguar për Ekonomia Online se lënda është dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese në mënyrë që t’u njihet e drejta e tyre.
Banorët, po ashtu, kanë organizuar një peticion, duke kërkuar “që të mos flaken në rrugë”.
Banorët kundërshtojnë largimin nga banesat që i shfrytëzojnë prej paslufte
Rreth 130 familje të ndërtesës kolektive në lagjen “Dardania” në Prishtinë kanë kundërshtuar mëngjesin e sotëm që të largohen nga ky objekt.
Largimi i tyre po bëhet pasi që gjykata kishte vendosur në favor të Ndërmarrjes Publike Banesore se kjo ndërtesë iu takon atyre.
Aksioni për lirimin e kësaj prone po bëhet me asistencë të Policisë së Kosovës.
Shumica e familjeve janë të vendosura këtu që prej përfundimit të luftës. Banorët po kërkojnë që t’iu mundësohet blerja e banesave me kushte të përballueshme.
Ky objekt ishte ndërtuar në vitet 1990-të dhe ishte dedikuar për refugjatët serbë nga Bosnja.