“Larondina” vjen në Kosovë, argëton fëmijët me sindromën down

Prishtinë | 20 Maj 2019 | 18:49 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shoqata “Down Syndrome Kosova” ka mbajtur konferencë për medie me rastin e sjelljes së grupit të vallëzimit “Larondina” nga Britania e Madhe në Kosovë, raporton EkonomiaOnline.

Ilirjana Geci, koordinatore e projekteve tha se vizita që grupi Larondina është duke zhvilluar në Kosovë është shumë e rëndësishme për të treguar potencialin e personave me sindromën down.

“Jemi duke mirëpritur një grup valltarësh me sindromën down në Kosovë. Jemi të lumtur që ky grup është duke e vizituar edhe Kosovën. Kjo vizitë është e rëndësishme për ne sepse ky grup do të performojë në disa qytete të Kosovës.  Do mundohemi që përmes këtij aktivitetit të tregojmë potencialin e personave me sindromën down”.

Alban Fejza, menaxher i marketingut tha se shfaqja do fillojë më 22 të këtij muaji në Prishtinë për të vazhduar edhe në dy qytete të tjera.

“Në ditët në vazhdimësi prej 21-24 do përkujdesemi që me shfaqjet që jep Larondina t’i argëtojë. Duke filluar nesër në ora 18 në qytetin e Ferizajt do luhet shfaqja e parë e grupit valltar duke vazhduar pastaj të mërkurën në Prishtinë dhe pastaj edhe në Prizren”.

Angelina Allessandre, drejtoreshë e grupit Larondina tha se personat me aftësi të kufizuara duhet të trajtohen njëjtë me personat tjerë dhe të pranohen në shoqëri ashtu siç janë.

“Duam të tregojmë se edhe të rinjtë me aftësi të veçanta mund të arrijnë të edukohen, në Angli kemi persona të tillë të cilët janë të integruar, punojnë dhe studiojnë. Përmes vallëzimit tentojmë të thyejmë barrierat mes personave me aftësi të kufizuara dhe publikut të gjerë sepse duam t’iu tregojmë publikut më shumë për ta. Përmes vallëzimit duam t’iu tregojmë se personat me aftësi të kufizuara kanë ndjenja, kanë emocione dhe ata meritojnë respekt dhe të jenë të integruar në shoqëri”.

Elizabeth Blackvell, anëtare e grupit Larondina tregoi mbi përvojën që ajo ka si nënë e një vajze e cila është me sindromën down.

Sipas saj, personat me sindromën down i përgjigjen pozitivisht muzikës, cka ka ndikuar edhe te vajza e saj. 

“Vajza ime është 49 vjeçare dhe është shumë mirë dhe ka pasur shumë për ti dhënë këtij grupi. Më e rëndësishme është fakti se kishte një qëllim në jetë, që të vallëzosh mirë u bë ambicie për të dhe aktivitet i rregullt”.

“Mendoj që Rebeka ka jetuar një jetë të lumtur dhe kjo ka ndikuar në karakterin e saj. Ka shumë përfitime nga të vallëzuarit, një nga to është të dukesh mirë fizikisht. Vallëzimi i bën ata që të bashkëpunojnë, të komunikojnë me të tjerët dhe kjo është veçori që iu mbetet për gjithë jetën”.

Të ngjashme