Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës (LShK) ka mbajtur sesionin letrar “Esad Mekuli”, me ç’rast u promovuan disa vepra, raporton Ekonomia Online.
Në sesionin letrar u fol për poetin Lasgush Poradeci, i cili u vlerësua si poet i madh kombëtar lirik.
Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Shyqeri Galica, tha se për të dhjetën herë me radhë po takohen në manifestimin tradicional letrar “Esad Mekuli” të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës në të cilën marrin pjesë me krijimet e tyre përfaqësues të të gjitha viseve shqiptare.
“Poradeci -poeti ynë i madh”, ku punimet e tyre do të paraqesin disa studiues e krijues të cilët kanë dëshmuar përkushtimin dhe prirjen e tyre për tu marrë me probleme e çështje serioze të krijimtarisë letrare”, tha ai.
Ai shprehu kënaqësinë që e pranishme është e bija e poetit zonja Marie Gusho.
Profesor Emin Kabashi, tha se do të shqyrtohen tri rrafshe të motiveve në poezinë e Lasgush Poradecit që janë kodet themelore të vlerës së poezisë së tij, jo vetëm në planin e shtrirjes tematike e motivore, por edhe në planin e strukturës së poetikës në poezinë e tij.
“Këto rrafshe janë: Kënga e pleqërisht e tij, kozmogonia e poezisë se Lasgushit dhe rrafshi i tretë, Vdekja dhe Përjetësia. Krijimtaria poetike e Lasgush Poradecit e cila që në nismë ka zgjuar interesime të kaheve te ndryshme, mund të konsiderohet një shembull i mirë i zhvillimit të mendimit kritik dhe nivelit të vlerave artistike”, tha ai.
Sipas tij, Lasgushi dallon nga krijuesit e poezisë shqipe dhe poezisë evropiane.
“Nuk janë vetëm përzierjet e rrymimeve poetike, ato që e bëjnë një krijues origjinal të poezisë ( parnasizmi, simbolizmi, ekspresionizmi, aspektet romantike, format klasiciste), por edhe kultura e gjerë letrare që kishte thithur në vende të ndryshme të Evropës”, tha ai, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se Lasgushi është poet me shprehje krijuese origjinale në letërsinë tonë.
Kabashi tha se Lasgushi është poet që i ka besuar artit më shumë se fjalomanisë.
Profesori Hamdi Hysuka, tha se në listën e poetëve të njohur shqiptarë vend të merituar zë Lasgush Poradeci, mbajtës i kurorës së poetit kombëtar lirik.
Sipas tij, koha ka vërtetuar se Lasgushi me vëllimet e tij “ Ylli i zemrës” dhe “Vallja e yjeve”, solli vlerë të re poetike duke mbetur deri në fund poet lirik i pastër, këngëtar i dashurisë, i natyrës dhe i mendimit, reformatori më i shquar i fjalës poetike.
Me këtë rast u promovuan edhe disa vepra si ajo e Milazim Kadriut “ Zëra të Dëlirë”, poezi për fëmijë. “Gjethnajë shpirti”, nga Vera Istrefaj. Romani “Violina e humbur”, nga Lutfi Dervishi e disa të tjera.