Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ende nuk ka komentuar ngritjen e aktakuzën e ngritur ndaj ish-imamit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqit.
Megjithatë, punonjës të BIK-ut kanë filluar të japin qëndrimet e tyre përkitazi me këtë çështje.
Njëri prej tyre është Fatmir Latifaj, imam i xhamisë së Shipolit të Mitrovicës.
Ai në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se aktakuza ndaj Krasniqit është e padrejtë, e montuar që ka për qëllim denigrimin e personaliteti të tij dhe të komunitetit mysliman.
“Me keqardhjen dhe shqetësimin më të madh e kam përjetua lajmin për ngritjen e aktakuzës, e cila me plotë kuptimin e fjalës dhe me përgjegjësinë më të lartë të mundshme e them se është e padrejtë e paqenë, e montuar në mënyrë më të ultë të mundshme. Ky hoxhë para se të flas me fjalë dhe deklarata e ka vërtetua me punë me vepër, kur gjysmën e magjistraturës e ka ndërpre dhe ju ka bashkëngjit radhëve të UÇK-së, për ta mbrojtur pragun e shqiptarisë, flamurin e lartë dhe të njëjtën kohë për ta ruajtur dinjitetin e shqiptarisë”, thotë ai.
Imami i Shipolit thotë se pika për të cilën akuzohet Krasniqi, kinse për nxjerrjen nga konteksti kohor të ajeteve kur’anore, është “qesharake”, duke pohuar se ky i fundit është njohës mjaftë i mirë i shkencave islame dhe është e pamundur të bëjë një gabim të tillë.
Hoxhë Latifaj në fund ka edhe një porosi për Shefqet Krasniqin.
“Dr. Shefqet Krasniqit i them: syri mos të trembet, sepse ky sy i yti e ka gjuajt serbo-sllavin dhe jam i bindur se ata sy që kanë lexuar fjalët e Zotit e kanë qarë prej frikës së Tij, ka më të mbrojt në dynja dhe ahiret. Se prind e tu o doktor të kanë edukua me hallall për me kanë shërbëtor i atdheut tanë dhe për me ngrit fjalën e Zotit”, përfundon ai.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Krasniqi akuzohet për shtytje në kryerjen e veprave terroriste, nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtarë, racor, fetar dhe për shmangie nga tatimi.
Aktakuza përshkruan se veprën e shtytjen në kryerjen e veprave terroriste, Krasniqi e ka kryer nga viti 2013 deri në 2014 ndërsa veprën penale të shmangies nga tatimit e ka kryer nga viti 2011 deri më 2016.
Sipas aktakuzës, Shefqet Krasniqi, në cilësinë e imamit të xhamisë se madhe “Mehmet Fatih” në Prishtinë, në vazhdimësi dhe me dashje ka shpërndarë mesazhe për publikun, përmes paraqitjeve të tij të drejtpërdrejta para publikut përmes ligjëratave të ndryshme, si dhe duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mjetet tjera të informimit, përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimit të ajeteve kuranore jashtë kontekstit kohor dhe frymës parimore islame, ka shtyrë të tjerët ta marrin rrugën drejt zonës së konfliktit në Siri dhe Irak e më pas të kryejnë akte terroriste, si dhe ka cilësuar disa grupe fetare si armiq të myslimanëve-sunit, duke nxitur dhe përhapur urrejtje, përçarje dhe mosdurim ndaj grupeve tjera fetare, të cilat jetojnë edhe në Republikën e Kosovës.