Blerim Latifi, ish-këshilltar i kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ka thënë se vendet totalitare janë të prirura për të marrë masa ekstreme për të luftuar dukuri negative.
Latifi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se shteti i tillë është Kina, ku sipas tij, i gjithë vendi u vetizolua për shkak të shpërthimit të pandemisë Coronavirus.
E pikërisht për këtë, Latifi ka thënë se pas përfundimit të pandemisë, bota do të marrë vesh katastrofën ekonomike
Kina është shtet me traditë totalitare dhe vendet totalitare janë të prirura të marrin masa ekstreme sa hapë e mbyll sytë. Kështu ndodhi edhe me coronavirusin: me të shpërthyer epidemia, i gjithë populli në izolim. Pjesa tjetër e botës thjesht ndoqi modelin totalitar të Kinës, pa llogaritur fare koston ekonomike të këtij modeli. E dëgjova një intervistë të ministrit izraelit të mbrojtjes që kritikonte pikërisht këtë model, duke thënë izolimi duhej bërë vetëm për të moshuarit, të cilët janë “targeti” absolut i coronavirusit. Vetëm pasi të kalon pandemia, bota do të marrë vesh katastrofën ekonomike të shkaktuar nga imitimi i reagimit totalitar kinez ndaj coronavirusit. Dhe ajo katastrofë do të shërbej si katalizator i shpërthimit të pasioneve agresive politike, sidomos në shtetet me stabilitet të paqëndrueshëm.